Rrush e kumbulla në ‘Rakia Fest’, nis së shpejti në Kukaj

16 Tetor, 2018 - 5:45 pm

Edicioni i parë i pjekjes dhe promovimit të rakisë “Rakia Fest”, do të ju mirëpres nga datat 19 deri më 21 tetor në hapësirat e Etnokompleksit të fshatit Kukaj, (ish Kukavicë) Komuna e Prishtinës.

Festivali ka për qëllim të promovojë si vlerë trashëgimore pjekjen tradicionale të rakisë dhe promovimin e saj në nivel nacional dhe rajonal.

Festivali do të zgjasë tre ditë dhe pos përcjelljes nga afër të procesit të pjekjes së rakisë, (në mbi 15 hapësira) ju do të mund të provoni shitjen e brendeve të ndryshme kosovare e rajonale të rakisë dhe të kaloni net të këndshme me programe atraktive muzikore.

“Rakia, më tepër se pije është institucion në vete. Është një ritual i veçantë i popujve të Ballkanit. Arti i pjekjes së rakisë është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe kulinarike të këtyre popujve. Nuk ka festë apo ceremoni ku nuk ngritën dhe cakërrohen gotat e rakisë të përcjellura me urimet dhe dëshirat: “Gëzuar, për shnetin tand, të na rrojë çuni, të na rrojë çupa, u trashëgofshin…”
Kurse thanja “Ti duhesh me pi rakinë e jo ajo ty” flet mbi të gjitha për kulturën e pirjes së rakisë e cila duhet të rrisë dozën e haresë, kënaqësisë, disponimit, ngrohtësisë por jo të krijojë situata të pakëndshme dhe jashtë kontrollit.

E kujt është rakia ? kush e zbuloi i pari ?

Si duket, trashëgimia më e përhapur nga civilizimi arab nuk janë shkrimet e shenjta, por arti “mëkatar” i distilimit të alkoolit.
Perandoria Osmane ishte jo vetëm prodhuese dhe konsumuese por edhe shpërndarëse e teknikës së pjekjes së rakisë.

Meqenëse religjioni islam e “haramizoi” këtë pije ajo prap vazhdoi të prodhohet e konsumohet në Turqinë laike të Ataturkut dhe në disa vende arabe, duke përdorur foren se edhe pse rakia është “haram” lejohet të pihet për “ilaq”.

“Në vendin tonë prodhimi i alkoolit me metoda artizanale është shumë i hershëm. Ka të ngjarë që fillesat të jenë me prodhimin e verës nga rrushi, që sipas defterëve osmane të shekullit 15 rezulton të ketë qenë një aktivitet shumë i vjetër dhe i konsoliduar.

Prodhimi i alkoolit në rrugë industriale ka filluar në Shkodër në vitin 1921 me investimin e vëllezërve Nikaj dhe disa sipërmarrësish tjerë të atij qyteti. Shembulli i tyre do të ndiqej nga Siri bej Vlora, i cili dy vjet më vonë do të hapte distelerinë e tij pranë Ujit të Ftohtë.
Nuk mund të flasim për kuzhinën rumune, shqiptare, serbe, kroate, bullgare dhe vendeve tjera ballkanike e të mos e shijojmë apo flasim për pijen supreme: Rakinë

Bile një proverbë bullgare thotë se “një bullgar që nuk e ka rakinë e vet, ai nuk është i gatshëm për luftë”.

Rakia nuk pihet vetëm.

Ajo lezetin e ka kur ndahet me miq, në çdo okazion, pritje, festa, dasma, lindje…dhe shpesh shoqëruar me një copë djathë, sallatë, meze të fërguar…dhe jo rrallë me një muzikë të mirë…

Se ç’mu kujtua sonte ai shkodrani dhe thënia e tij epike: “Grusht bashkuar rreth rakisë” të cilën ia vodhi Enver Hoxha dhe e zëvendësoi me slloganin komunist “grusht bashkuar rreth partisë” që e trullosi një popull të tërë për shumë dekada…

Është gota e pestë që piva derisa i shkrova këto vargje…
Jo more, çfarë hamam vargje, ja paskam futë kot!
Paska nisë me më nxanë rakia.
Këto s’janë vargje që po më sillen nëpër kokë, po janë molla e dardha, të përziera me “rrush e kumbulla”, të cilat i kemi futë nëpër kaca që një muaj e fiuuuu…
E që po presin me i pjekë së bashku me juve, në kazanat e bakurit…
Me datën 19 dhe 20 tetor në Kukaj…
Për me marue rakinë ma të mirë në botë…Në “Rakia Ballkan Fest”.
Që ta knaqë loçken e barkut…tu hangër meze e tuj knue kangë bekrie, e tuj kallxue vica…
Me i harrue bile nja dy ditë gajlet, me harrue pulutiken,e me i que krejt në farë të specit…
Po e la për sonte…
nuk po pi ma shumë…
paska nisë më mu gjuhë trasha…

“I dehun jam,
Kambët smë mbajnë,
Po më mundon një dashuni
Tash për çdo nat’ pi raki edhe ven’
Gjithkend që e helmojn’ por mu’ po më ngushllon’
Ti mundesh me m’shpëtu, të lutem më ndihmo… »
Se jeten ma helmoj ky Sharap, Sharap…”
Gjumin e tamël…”, është shkruar kështu në komunikatën për media, përmes të cilës ftoheni të bëheni pjesë e Rakia Fest. /KultPlus.com

Të ngjajshme