Sa kushton dasma në atdhe e sa në Zvicër?

16 Korrik, 2018 - 6:23 pm

Fotografia në ballinë: Norik Uka.

Ku do t’ju kushtonte më shtrenjtë martesa? Një krahasim i buxhetit të dy çifteve tregon se sa mund të kushtojë një dasmë në Zvicër dhe sa në Kosovë.

Bërja e dasmës, për një çift martesor nuk nënkupton vetëm festimin e kurorëzimit të dashurisë së tyre. Mjerisht, jo. Të martohesh, domethënë po ashtu edhe t`i hedhësh një sy arkës së kursimeve, të përpilosh një plan buxhetor dhe të zgjosh tek vetja talentin e përgjumur për organizim. Nuk tingëllon aspak romantike? Në fakt, kjo pjesë as nuk është e tillë.

Ne i kemi lutur dy çifte martesore nga Zvicra që të hedhim një shikim në planin e tyre të martesës, për të zbuluar se si ngrihet fare në këmbë i gjithë ky konstrukt i festës dhe çfarë shpenzimesh dalin për të realizuar një dasmë, shkruan albinfo.ch.

Çifti ynë zviceran jeton në Kantonin Thurgau. Të dy janë 25-vjeçarë. Ndërsa çifti shqiptar, një 27-vjeçare nga Thurgau dhe një 26-vjeçar nga St. Galleni, të dy janë të lindur në Zvicër.

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Lokali dhe menyja e dasmës

Çifti zviceran e bën dasmën në Mainau, Gjermani. Janë të ftuar 100 mysafirë. Për menynë me 5 pjata ata paguajnë 120 euro për person. Por, duke qenë se marrja e sallës me qira nuk përfshihet në çmim, ata në fund duhet të paguajnë 19.000 euro.

Çifti shqiptar martohet në Tetovë, në një nga restorantet më të rinj për dasma. Edhe ata janë përcaktuar për një meny prej 5 pjatash dhe duan që mysafirëve t`ua ofrojnë menynë më të shtrenjtë dhe më të mirë. Por kjo kushton vetem 18 euro për person. Për të festuar bashkë, janë ftuar 450 dasmorë. Restoranti nuk kërkon ndonjë shumë shtesë për qiranë. Kështu, çifti paguan në total 8100 euro.

Fotografitë dhe videoxhirimi

Çiftit zviceran i kushtojnë më shtrenjtë edhe videoxhirimi dhe fotografimi, të cilat së bashku arrijnë në shumën prej 4100 eurove.

Ndërsa çifti shqiptar paguan 1800 euro për 3 ditë xhirime. Filmohet dhe fotografohet në natën e “Kanagjeqit”, në ditën e dasmës dhe gjatë banketit. Këtu përfshihet edhe një videoklip i çiftit martesor, i cili do të filmohet në Liqenin e Ohrit, raporton albinfo.ch.

Dekorimi

Një element që në dasmat zvicerane është pjesë e nënkuptueshme, në dasmat në vendet tona të prejardhjes ka hyrë në modë vetëm në vitet e fundit: dekorimi i sallës së dasmës. Ka gjithnjë e më shumë agjenci në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni që e ofrojnë këtë shërbim. Çiftit të ëndrrave kështu premtohet se t`i plotësohet çdo dëshirë, sa i përket dekoracionit. Dhe, çmimet për këtë, duket se nuk njohin kufi. Çifti ynë shqiptar është përcaktuar për një agjenci nga qyteti i lindjes, e cila, për 3500 euro ua zbukuron sallën dhe tavolinat si dhe e përgatit një libër të dasmorëve dhe një ekran të personalizuar të fotografive. Organizatorët nga agjencia do të kujdesen që rrjedha e banketit të shkojë pa telashe.

Për dekorimin e sallës së çiftit zviceran kujdeset familja e nuses. Kështu, ky segment do të kushtojë 1500 euro.

Veshmbathja, stolitë dhe Aksesorët

Mbase do t’ ju ketë rënë veçanërisht në sy në grafikonin tonë një shtyllë e kuqe te rubrika: Veshja e nuses. Kjo nuk domethënë se nuset shqiptare fustanin e tyre të nusërisë e blejnë në Champs-Élysées, por shpjegohet me faktin se ka edhe shumë shpenzime tjera që shkojnë bashkë me bërjen nuse. Në Tetovë, ku traditat lokale mbahen me të madhe, kostumet dhe fustanat tradicionalë janë pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj.

Dimitë tradicionale mund të blihen në qytet duke filluar nga 200 euro. Kush përcaktohet për ndonjë thurje të veçantë, punë dore ose kualitet më të lartë të qëndismave me fije të praruara, fare lehtë mund të paguajë deri në 2000 euro për një veshje të tillë. Krahas dimive të zakonshme, ka edhe variante tjera të tyre, si për shembull kaftani ose xhamadani, që shumë nuse dëshirojnë t`i kenë në zotërim.

Këtyre u shtohen pastaj fustanat tjera të mbrëmjes, disa prej të cilëve nuk janë thjesht të blerë, por të prerë dhe qepur sipas masës dhe dëshirës, pasi që nusja, me ata fustanë do të vallëzojë edhe në shumë dasma të tjera. Kështu, nusja shqiptare shpenzon 4500 euro për veshjen e saj. Fustani i saj i dasmës, i disenjuar dhe i prerë sipas masës nga një disenjator i njohur kosovar, ka një vlerë prej 2600 eurove. Ai nuk përfshihet më shumën e përmendur më parë.

Fustani dasmor i nuses zvicerane kushton po ashtu 2600 euro. Për stolitë dhe aksesorët tjerë ajo paguan 700 euro.

Vlera e gjithëmbarshme e stolisjes së nuses shqiptare shkon në 16.000 euro. Në intervistë me albinfo.ch ajo thekson se nuk është sasia që përcakton këtë çmim të lartë, por cilësia. “Unë nuk doja stoli ari që është i falsifikuar dhe sidoqoftë nuk i përgjigjet çmimit që ka. Ne jemi përcaktuar për 22 karatë dhe i kemi kushtuar shumë rëndësi cilësisë. Disa gjëra i kemi blerë në Zvicër”.

Dy bashkëshortët e ardhshëm nuk kanë nevojë të shpenzojnë kaq shumë për veten e tyre. Për kostumet e tyre të markave me emër, përfshirë dhe këpucët, ata paguajnë rreth 2000 euro.

Fotografia: Norik Uka

Muzika dhe shpenzimet e përgjithshme

Shuma që paguan një çift martesor për një orkestër ose për një DJ, është shumë e ndryshueshme në të dy vendet. Në Zvicër, për një DJ paguhet deri në 10.000 franga zvicerane. Në trojet shqiptare ka mundësi që një këngëtar me gjithë orkestrin ta paguash 500 euro.

Çifti zviceran ka angazhuar një DJ për 1200 euro, ndërsa çifti shqiptar, dy artistëve të famshëm kosovarë bashkë me orkestrin ua ka paguar 3800 euro. 450 euro shtesë ata kanë paguar për një grup prej 6 vajzave, të cilat gjatë ditës do të këndojë këngë tradicionale shqiptare.

Sponsored by eny Finance

Të ngjajshme