Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor: Diskriminimi kundër romëve akoma shumë prezent në Evropë

21 Nëntor, 2018 - 5:10 pm

Pjesëmarrësit e Samitit të Romëve të Ballkanit Perëndimor, i katërti me radhë, janë pajtuar se lufta kundër diskriminimit shumë të rrënjosur kundër romëve është thelbësore për përmirësimin e jetës së romëve në mbarë kontinentin si dhe për suksesin e të gjitha masave të tjera të cilat po ndërmerren.

Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet më 21 dhe 22 nëntor 2018 ka tubuar më shumë se 100 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve romë nga Ballkani, Turqia, dhe BE-ja, për të diskutuar për çështjet me të cilat ballafaqohen romët në mbarë Evropën si dhe për nevojën për ndryshime të politikave.

Në hapje të samitit, John Stauffer, drejtor ligjor dhe zëvendësdrejtor i Civil Rights Defenders që e ka organizuar këtë samit, tha se një sërë masash të cilat kanë për synim përmirësimin e jetës së romëve siç janë beneficionet sociale, arsimi apo mundësitë për punë, megjithatë kanë korrë numër të kufizuar rezultatesh.

“Ekzistojnë potencialisht masa të mira të cilat mund të jenë të nevojshme për të siguruar mundësi të barabarta për romët, për t’i nxjerrë romët nga pozita e pafavorshme. Por pa u trajtuar shkaktari kyç, këto masa asnjëherë nuk do t’u mundësojnë romëve të dalin nga situata aktuale. E shkaktari kyç e ka emrin diskriminim”, tha Stauffer.

Në fjalën e saj në hapje të Samitit, Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Suedisë në Prishtinë, tha se romët janë ballafaquar me diskriminim gjatë gjithë historisë, dhe se Evropa duhet ta ketë parasysh trajtimin e romëve.

“Nuk ka dyshim se komuniteti rom është ndër më të diskriminuarit e më të margjinalizuarit në tërë historinë e njerëzimit. Këtë diskriminim e dallojmë në gjëra të vogla, në faktin se romët kurrë nuk janë prioritet, kurrë nuk janë në fokus dhe më duket tradhti e humanitetit tonë kolektiv që nuk mund të shohim çka (i) kemi bërë (komunitetit rom), tha Karin Hernmarck Ahliny.

Popullsia rome në Evropë është më e madhe se popullsitë e më shumë se dy të tretave të shteteve të këtij kontinenti – më e madhe se popullsia e Suedisë, Hungarisë e Bjellorusisë. Me rreth 10 deri në 12 milionë romë që jetojnë në Evropë, ata përbëjnë minoritetin më të madh etnik në kontinentin evropian.

Raportet e Civil Rights Defenders për të drejtat e romëve në Ballkanit Perëndimor, të publikuara sivjet, tregojnë se diskriminimi kundër romëve mbetet i patrajtuar dhe tolerohet në masë të madhe në sferën publike e atë private, dhe prek çdo aspekt të jetës së romëve.

Mendësia kundër romëve mund të haset nëpër shkolla ku fëmijët romë ngacmohen apo sulmohen, apo u duhet të vijojnë shkolla të ndara, përderisa qëndrimet negative e raciste ndaj romëve përshkojnë diskursin publik dhe nganjëherë madje edhe atë politik në të gjitha vendet e Ballkanit.

Në anën tjetër, Bernard Rorke, zyrtar për avokim pranë Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve, tha se situata e romëve në gjithë Evropën po përkeqësohet edhe më tej krahas rritjes së popullizmit.

Goran Miletic, drejtor i Civil Rights Defenders për Europë, tha se përkundër situatës së pakënaqshme ka disa përmirësime – duke vënë në pah se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nxjerrë akte ligjore kundër diskriminimit të romëve dhe po konsolidohen organizatat e fuqishme joqeveritare rome.

Pjesëmarrësit e Samitit gjithashtu kanë diskutuar për bashkëpunim rajonal dhe lobim të përbashkët për çështjet e interesit të përbashkët.

Qëllimi i Samitit të Romëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka filluar më 2015, është tërheqja e vëmendjes karshi antigjipsizmit dominues, diskriminimit sistematik dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut të romëve në rajon, si dhe thirrja drejtuar qeverive të Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar plotësisht standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor promovon dhe fuqizon bashkëpunimin rajonal me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen romët në Ballkanin Perëndimor; u mundëson pjesëmarrësve të mësojnë e të shkëmbejnë përvoja dhe mbështet nisma të reja dhe bashkëpunimin rajonal./KultPlus.com

Të ngjajshme