Selia e Shtabit të Brigadës 121 dhe Shtëpia e Kulturës në Runik hyjnë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme

23 Korrik, 2018 - 12:19 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bazuar në legjislacionin në fuqi për trashëgimi kulturore, respektivisht në rekomandimet e grupit punues lidhur me shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave dhe propozimeve të institucioneve, ka miratuar dy vendime për përfshirje të aseteve në kuadër të Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme. Selia e Shtabit të Brigadës 121- Komandant Kumanova në fshatin Krojmir, Komuna e Lipjanit dhe Shtëpia e Kulturës në fshatin Runik, Komuna e Skenderajt janë dy asetet e përfshira në kuadër të trashëgimisë kulturore arkitekturore.

Dyja asetet veçohen për vlerat e historike, arkitektonike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore. Vendimet në fjalë, të nënshkruara nga ministri Gashi i obligojnë me tutje institucionet përkatëse te trashëgimisë kulturore që menjëherë të fillojnë dhe hartimin e projekteve të detajuara të konservimit-restaurimit dhe t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet me institucionet e nivelit lokal.

Ministri Gashi me këtë rast u shpreh se “përfshirja e këtyre dy aseteve të trashëgimisë sonë e pasurojnë edhe më tej Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Në deklarimet tona të mëhershme kemi premtuar se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe unë si ministër dhe ministria e cila udhëheq, bashkërisht po përpiqemi maksimalisht ta zotojmë këtë premtim”.

“Dua t’i falënderoj të gjithë akterët dhe profesionistët që kanë punuar për t’u arritur kjo”, tha mes tjerash ministri, duke e vlerësuar përfshirjen e dy aseteve si shumë të rëndësishëm për trashëgiminë.

Ministri Gashi theksoi edhe faktin se Përfshirja e tyre në listë kërkon dhe përmbushje tjera të detyrimeve prandaj bashkëpunimi dhe bashkërenditja e veprimeve me institucionet tjera të niveli lokal si dhe pronaret, poseduesit dhe shfrytëzuesit e tyre është e domosdoshme deri në funksionalizim dhe promovim të vlerave të trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme