Shefikat Narazani, mësuesja që la Turqinë për gjuhën shqipe

25 Korrik, 2017 - 8:41 am

Nga Hyqmet Zane

Ajo kalonte kalldrëmeve të rrugicave të qytetit mbuluar me perçe dhe të gjithë kthenin kokën me kureshti: “Është ajo, mësuese Shefikati, po shkon tek shkolla, është shumë e mirë”.

Nuk është rastësi që një grua, edhe pse me perçe, për shkak të rrethanave të kohës, të bëhej një mësuese e nderuar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Edukimi atdhetar që kishte marrë në familjen e saj mësuesja Shefikat Narazani, bëri që të linte Turqinë, atdheun e saj të dytë dhe të vinte në Shqipëri, në Elbasani e saj të dashur.

Ishin vite obskurantizmi dhe fanatizmi njëkohësisht që diktonin jetën e një vëndi për shkak edhe të rrethanave historike që sundonin në Shqipërinë e coptuar. Falë atij akti madhor të 1 dhjetorit 1909, Elbasani do të hynte në historinë mbarëkombëtare si kryeqyteti i arsimit shqiptar. Atë kohë, kur gjithçka fliste me gjuhën e injorancës, në Elbasan, veç burrave ka patur edhe gra që dinin shkrim e këndim me alfabetin e Stambollit.

Nderim për mësuesen nga Mynevere Zaimi

Duke bashkëbiseduar me mësuesen e nderuar, veterane të arsimit por edhe të luftës, Mynevere Zaimi, ajo jo vetëm që i mban mend ato çaste të rëndësishme në jetën e saj, si dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe sot i përjeton mrekullisht me një logjikë të ftohtë ato ndjesi që i lanë mbresa të mëdha. Zysh Myneveri, siç e thërrasin të gjithë në qytet, nuk mund të rri pa përmendur emrat e mësuesve të para shqiptare në Elbasan si Alemshah Dylgjeri, Hajrie Saraçi (Zaimi), Fadile Çeka (Dedej), gruaja e “Mësuesit të popullit” Salih Çeka, Zeqine Krasta, e të tjerë që zhvilluan për hapjen e shkrimit e leximit të gjuhës shqipe përmes mbledhjeve të grave bektashiane, në qytetin që tashmë njihet për nivelin intelektual të bektashizmit shqiptar.

Shefeikati përballë obskurantizmit
Në këto rrethana erdhi dhe punoi edhe Shefikat Narazani, duke u bërë pjesë e këtyre grave naimjane. Shpirtin e bardhë të kësaj mësueseje të bukur në gjithçka, e shqëruan, po aq sa edhe e ndihmuan edhe mësuese të mrekullueshme elbasanase si Prashqevi Gignasi, Urani Kushi, Agni Todri (Papajani), Afërdita Josifi, i nderuari inspektor i arsimit Baki Sinella e të tjerë në ato vite, kur Mbretëria Shqiptare kishte nisur udhën e vet të ndryshimeve.

Mësuese Myneveri, kjo grua shkrimtare dhe e pasionuar në profesionin e mësuesisë, edhe pse në një moshë 82 vjeçare, ndjehet borxhlie para nderimit të mësuesve dhe mësueseve të saj, kur shprehet se “Shefikat Narazani ishte një mësuese e shkollës së grave, njohur me emrin “Ruzhdie”, të ndërtuar nga Abdurrahim Aga Zaimi, që sot fatkeqsisht nuk ekziston më. Ishte guxim i madh që një grua me perçe të zezë t’u jepte mësim në shkollë vajzave elbasanase, duke u ndriçuar botën që do të vinte. Unë, – kujton Myneveri, – isha e vogël 5-6 vjeç dhe në klasën ku unë vajta për të marrë pjesë në mësim si harriçe në buzë të parmakut të dritares e shqetësoja Zonjën mësuese, Shefikat Narazani, duke përsëritur alfabetin dhe duke ja prishur mësimin, por ajo asnjëherë nuk u mërzit me mua. Ajo ishte një engjëll i bukur që ligjëronte fjalët e saj dhe nuk jepte mësim ashtu kot. Në orët e këngës që më jepte mësuese Shefikati, mësova që në atë moshë vargjet e Hymnit të Flamurit, të Lahutës së Malësisë, vargjet e Mjedës e të Shirokës. Pas nënës sime të shtrenjtë që ishte edhe mësuesja ime e parë e letërsisë, vinte Shefikati. Pasioni i saj për gjuhën e bukur shqipe bëri që ta mësonte atë si Fan Noli, sepse u rrit në Turqi dhe, si naimjane që ishte, i vuri vetes detyrën që të përhapte mësimin e gjuhës shqipe te gratë muslimane të Elbasanit, edhe pse duke mbajtur perçe”. Për opinionin elbasanas që e njeh mirë panteonin e vlerave të këtij qyteti, nuk janë të panjohura personalitetet që i dhanë dritë, që e bënë kryeqytet të arsimit dhe të kulturës.

Mësuesja përballë diktaturës
Por ajo që përjetoi Shefikat Narazani është e parrëfyer, kur mendon se pjesa tjetër e jetës së kësaj mësuese pas vitit 1945 u bë një ferr i vërtetë. Gjatë viteve të komunizmit kjo grua u përball dhe u përplas me ashpërsinë e një diktature. Si mësuese që rrezatonte mirësi, ajo shkonte nga një fshat në tjetrin në zonën e Peqinit bashkë me vajzën e saj Eglantina Liçe, duke humbur edhe atë të drejtë njerëzore që duhet të kishte një pensioniste. Mbeti pa pension, duke jetuar me dhëndrin e saj, Nevzat Liçe, që regjimi stalinist e interrnoi për rreth 20 vjet në fshatin Xibrakë të Belshit. Pikërisht kjo grua, mësuesja e nderuar e shkollës së gocave “Ruzhdije”, e shkollës “ Naim Frashëri”, e shkollës Ushtrimore, më të mirave dhe më të arrirave të kohës, u bë viktimë e paditurisë.

Jeta plot dinjitet e një mësueseje
Shefikat Narazani (Sefa) lindi në Elbasan në vitin 1898 në një familje të mesme qytetare dhe intelektuale dhe vdiq më 26 nëntor 1972. Që e vogël kishte dëshirë të mësonte dhe t’u shkollonte. Por në atë kohë shumë pak ishin ato që vazhdonin shkollë dhe aq më tepër një femër me besim musliman. Në moshën 9 vjeç ajo shkoi në Turqi bashkë me nënën dhe vëllain e saj. Atje ndejti 10 vjet, ku edhe iu dha mundësia të vazhdonte shkollën e Stambollit. U kthye në Shqipëri shumë e gëzuar dhe me qëllim që këtë dituri t’ua jepte motrave elbasanase që ishin shumë inteligjente, por edhe fanatike. Në këtë qytet, nën shoqërinë e arsimtareve të qytetit ajo më në fund, me gjithë pengesat e kohës, u emërua mësuese. Për një grua me perçe si Shefikati nuk ishte e lehtë që të arrinte të bindte edhe burrin e saj, Xhaferr Sefa, si një njeri me shkollë që ishte të vinin në Shqipëri dhe ajo të ishte një mësuese e devotshme. Pikërisht kjo cilësi e kësaj mësuese ra në sy të mësuesve me emër në Elbasan si Fadil Gurmani, Hysen Çaushi etj. që e vlerësuan mësuesen e re për thjeshtësinë, për sjelljen dhe dinjitetitn që tregonte. Vlerësim ky që rridhte nga fakti se vetëm Shefikat Narazani ishte muslimania mësuese, ndërsa të tjerat, të gjitha ishin ortodokse si Agnia, Prashqevia, Urania, Alipia, etj, etj.

Autoritetin e një mësuese dinjitoze Shefikati e tregoi edhe në Tiranë në shkollën “Kosova” dhe “Kongresi i Lushnjes”, duke arritur simpatinë e qytetit, duke punuar në shtëpi veçmas me nxënës të varfër që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollën. Edhe kurset kundër analfabetizmit u bënë pjesë e punës së kësaj mësueseje në shkollën e natës. Por Enver Hoxha e internoi Shefikatin, vajzën dhe burrin e saj për 20 vjet rresht. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme