Shoqëria civile e quan plan përfitues të Gjinit ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës

4 Mars, 2019 - 12:30 pm

Shoqëria civile në Gjakovë e ka quajtur plan përfitues vendimin e kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për tentim ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës, me të cilin pritet të bëhet shfuqizimi i parcelave dhe ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në afërsi të kullës së Sulejman Vokshit.

Përmes një reagimi ata kanë thënë se ky plan i të parit të Gjakovës po e shkatërron zonën historike të komunës, ku flitet për zonën ku është vendosur kulla e lindjes së udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshi.

Sipas tyre, kjo kullë është e mbrojtur nga Ministria e Kulturës dhe se ndërtimi i objekteve të mëdha në atë zonë po bëhet për interesa të ngushta të kryetarit të Gjakovës.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta e forma të tjera të mosbindjes qytetare për ta kundërshtuar këtë vendim, thuhet më tutje në njoftimin e dërguar mediave.

Njoftimi i plotë:

Përmes këtij reagimi qytetar, dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën e thellë të qytetarëve të Gjakovës lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, për realizimin e planit të tij PERFITUES për të shkatërruar zonën historike të Gjakovës, përkatësisht zonën tek Mejtepi Ruzhdije, ku është e vendosur shtëpia (kullë) e lindjes së një prej figurave më të shquara kombëtare – përkatësisht udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit.

Në realizimin e këtij plani perfitues kryetari i Komunës së Gjakovës synon të shërbehet me gjoja ‘vendimet e shumicës’ në Kuvendin Komunal të Gjakovës, kësisoj duke synuar të sjellë për herë të tretë me rradhë, për një periudhë të shkurtër kohore përpara vendim-marrësve komunalë, një projekt për përmbysjen e një vendimi paraprak të Kuvendit Komunal të Gjakovës me të cilin zona e njohur si Mejtepi Ruzhdije, përkatësisht zona përreth shtëpisë (kullë) të lindjes së Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, duke shpronësuar pronat përreth këtij objekti me qëllim ruajtjen dhe pengimin e ndërtimit të objekteve që do të dëmtonin apo në çfarëdo forme tjetër zhvlerësonin vlerën historike të kësaj zone. Kjo ndërmarrje monstruoze e orkestruar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, po bëhet me të vetmin qëllim, shkatërrim të zonës së mbrojtur historike të Gjakovës, duke lejuar ndërtime të larta banesore dhe afariste në shërbim të interesave të ngushta partiake dhe të pastra përfituese klienteliste tashmë të dëshmuara.

Me këtë rast, duam t’i rikujtojmë kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe vendimmarrësve komunalë se shtëpia (kullë) e Sylejman Vokshit dhe zona te Mejtepi Ruzhdije janë monumente nën mbrojtje të përhershme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si te tilla figurojnë në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, si një monumente të rëndësisë së veçantë arkitektuale i kohës osmane.

Zona në fjalë përveç që është nikoqire e shtëpisë (kullë) të Sylejman Vokshit, gjithashtu është zonë në të cilën ishte e vendosur Shkolla e Parë Shqipe në Gjakovë, një monument që poashtu është nën mbrojtje të përkohshme, nga MKRS-së sa i takon anës formale dhe procedurale të vendim-marrjes publike, po ashtu, duam t’i rikujtojmë Kryetarit të Komunës dhe vendim-marrësve komunalë, se vetë mënyra klandestine e procedimit të kësaj politike është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, dhe atë për një numër arsyesh.

E para, demokracia parlamentare në Kosovë nuk është e dizajnuar sipas modelit të supremacisë parlamentare

E dyta dhe thelbësorja është se :Qeveritë ndryshohen por vendimet e marra nga ato parapraket janë të plotfuqishme ,obligative për tu zbatuar sipas parimeve integrale të sundimit të ligjit.

Kësisoj, vendimi i Kuvendit Komunal të Gjakovës 01 nr. 011-78935/2015 të datës 27. 10. 2015, për shpronësimin e pronave përreth zonës historike në fjalë është ligjërisht valid dhe nuk mund të rishikohet nga përbërja përfaqësuese e mëvonshme në raste të panumërta.

Kësisoj, pritjet legjitime dhe të drejtat e personave të shpronësuar të fituara me vendimin e Kuvendit Komunal të Gjakovës, të vitit 2015, me numër 011-78935/2015 janë të drejta legjitime dhe me plot të drejtë presin realizimin e tyre.

Çfarëdo rivendosje në rivotim do të ishte provë që qëllimi i kryesuesit të Kuvendit dhe kryetarit të Komunës është që të keqpërdor një vendim në dëm të interesit publik.

Lidhur me te , grupi i qytetarëve të Gjakovës është i vendosur dhe këmbëngulës deri në tërheqjen përfundimtare dhe të pakushtëzuar të vendimit të kryetarit të Komunës së Gjakovës për ndërrimin e destinimit të zonës së mbrojtur historike tek Mejtepi Ruzhdije, duke u kamufluar prapa ‘vendimeve të shumicës’. Në realizimin e kërkesave të veta, grupi i qytetarëve të Gjakovës do të përdorë të gjitha mjetet e njohura demokratike –kushtetuese dhe ligjore – duke mos përjashtuar edhe protestat dhe format tjera të mosbindjes civile. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme