займ на карту онлайн потребительский кредит

Shqipëria promovon edhe vizitat virtuale nëpër monumente

Maj 15, 2019 - 6:29 pm

Pos investimeve në disa prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri sa u përket restaurimit e mirëmbajtjes, shteti ka vendosur që t’i bëjë edhe më atraktive disa monumente duke përdorur teknologjinë.

Për këtë ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, të martën ka vizituar Kalanë e Prezës. Ajo ka bërë një shëtitje virtuale në këtë monument të kategorisë së parë, që është një destinacion historik dhe kulturor afër kryeqytetit shqiptar, shkruan sot Koha Ditore.

“Me realizuesit e projektit ‘Bota ndryshe’, që synon promovimin e monumenteve të Shqipërisë, si dhe t’u thjeshtojë aksesin turistëve dhe qytetarëve, duke i krijuar mundësinë e prekjes virtuale me VR videos 360 gradë, audiobook dhe fotografi të objekteve që mund të vizitojnë. Pesë kala janë përzgjedhur si epiqendra e pesë videove 360 gradë”, ka thënë ministrja Margariti sa i përket asaj që e ka përshkruar si eksperiencë të veçantë. Në këtë rast shteti shqiptar, teknologjinë ka nisur ta bëjë pjesë të promovimit kulturor.

Kalaja e Prezës ndodhet 277 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve dhe arkeologëve shqiptarë e të huaj ka filluar të ndërtohet rreth 2400 vjet më parë. Ajo ka një gjatësi 80 metra, gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve deri shkon deri në 1.4 metra. Nga Kalaja e Prezës mund të shihet ajo e Lezhës, Krujës, Ishmit, Petrelës, Mali i Dajtit, ai i Tomorit dhe Deti Adriatik.

Ky monument zë vend edhe në veprat e Marin Barletit, sipas të cilit më 26 janar 1445, në Kalanë e Prezës është bërë dasma e martesës të motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës me Muzak Topinë.

Sa i përket turizmit edhe mediat e huaja ka kohë që e shpërfaqin Shqipërinë si një destinacion kulturor.

Së fundmi gazeta franceze “20 minutes.fr” e ka përshkruar shtetin shqiptar si një vend ideal për turizëm edhe sa i përket trashëgimisë kulturore. Sipas kësaj media, si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Është shkruar se vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, ndalon rrjedhën e kohës.

“Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lërë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor”, shkruhet në artikull. Qyteti i Apolonisë, sipas “20minutes.fr”, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm.

“Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve”, shkruhet në artikull./KultPlus.com

Të ngjajshme