Shqipëria u vizitua nga 5 milionë turistë në 2017 (VIDEO)

21 Janar, 2018 - 7:45 pm

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku shpalos strategjinë e këtij institucioni për vitin 2018 duke veçuar si prioritet shtrirjen gjithëvjetore të lëvizjes turistike dhe rritjen e shërbimit te vizitori.

Duke konsideruar se viti 2017 pati një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj në vendin tonë, një shifër që arriti deri në 5 milionë turistë që vizituan Shqipërinë në të katër stinët, obligimi ynë është që kjo shifër të rritet për vitin 2018, tha zv.ministri Çeku për ATSH-në.

Më tej, ai solli dhe shifra konkrete mbi të ardhurat në buxhetin e shtetit nga turistët e huaj që kapin shumën e rreth 1.5 miliardë lekë. Duke u ndalur te turizmi gjithëvjetor, Çeku nënvizoi se bregdeti mbetet prioritar, por ai është shumë pranë maleve që po marrin një akses të veçantë në shtrirjen turistike.

Për operatorin turistik që vepron i pavarur, por i monitoruar nga strukturat qeveritare, zv.ministri tha se atë do ta konsiderojmë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prezantimin tonë turistik në botë, por edhe duke e nxitur në investimet e tij për sa i përket infrastrukturës, kulturës dhe higjienës së shërbimit.

Është ky operator tha Çeku, që bënë edhe promovimin, por edhe shpërndarjen e vizitorit të huaj në ambientet tona të vizitueshme.

Infrastruktura rrugore dhe mjedisore është një tjetër prioritet i Ministrisë së Turizmit për 5 vitet e ardhshme duke theksuar se për këtë vit rritja e të ardhura nga turizmi do të jetë rreth 6.2%, ndërsa në fund të vitit 2027, çdo 3 të punësuar, njëri do të jetë i punësuar në turizëm ose në sektorët që lidhen me turizmin.

“Duke përcaktuar më saktë zonat me vlera turistike, do të mund të shpallen projekte për të investuar”, thotë Çeku.

Trendi i turizmit në vendin tonë është vlerësuar dhe nga operatorë apo media të huaja, duke e cilësuar Shqipërinë si një destinacion të veçantë në Ballkan. / KultPlus.com

Të ngjajshme