”Shtëpia me Gjethe” tërhoqi turistë të shumtë edhe gjatë tetorit

5 Nëntor, 2018 - 2:00 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Ky muze është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Muaji tetor në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, “Shtëpia me Gjethe” ka qenë ni ngjeshur, pasi shifrat tregojnë se shumë vizitorë të huaj dhe vendas kanë zgjedhur të zbulojnë misteret e tij.

Muzeu ka patur 39% vizitorë dhe 80% të ardhura më shumë krahasuar me muajin tetor 2017.

Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panoramë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “Shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u hap për publikun në 23 maj 2017. Godina e mistershme prej 45 viteve ishte e mbuluar nga gjethet dhe iu fsheh syrit të publikut. Nga aty u përgjuan, u kontrolluan dhe u spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist.

Ky muze është i ndarë në disa sektorë, të cilët trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi, që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve ‘30-të dhe deri në vitin 1991, shkruan ata./ KultPlus.com

Të ngjajshme