Shtëpia-muze e Katarina Josipit, së shpejti pritet inaugurimi

30 Maj, 2019 - 9:30 am

Ka kaluar një dekadë qysh kur janë iniciuar punimet për ta shndërruar në muze, shtëpinë e lindjes së aktores Katarina Josipi.

Shtëpia-muze, objekt i mbrojtur me ligj si pjesë e trashëgimisë kulturore, është pronë e familjes Dulaj dhe ndodhet në fshatin Zym të Hasit, transmeton KTV.

Inaugurimi dhe hapja për vizitorë është paralajmëruar të bëhet këtë javë.

Gjashtëdhjetë (60) mijë euro janë investuar dhe tre tenderë janë hapur qysh prej vitit 2009 për kryerjen e punimeve restauruese në shtëpinë-muze, në të cilën do të ruhen eksponatet që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e aktores së parë shqiptare në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

Nikollë Dulaj, familjar i Katarina Josipit, shpjegon kronologjinë e problemeve të shfaqura gjatë punimeve restauruese.

Samir Hoxha, Këshilltar i Ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, nuk ka folur për arsyet e zvarritjes 10-vjeçare të punimeve, duke thënë se kjo u takon pararendësve të Gashit.

Me gjithë paralajmërimet për inaugurimin e objektit, Ministria e Kulturës nuk ka iniciuar procedura për punësimin e stafit menaxhues të shtëpisë-muze.

Frrok Kristaj, i cili është një nga iniciuesit që shtëpia e aktores së njohur të hapet si muze aktiv për vizitorë, e sheh të domosdoshëm angazhimin e stafit menaxhues.

Katarina Josipi është një prej personaliteteve me të cilat krenohet Zymi i Hasit. Ajo u lind në këtë fshat por nuk jetoi gjatë aty, meqenëse babai i saj Gjini, migroi në Nish të Serbisë.

Shtëpia ku u lind ajo u dëmtua dhe gati sa nuk u rrafshua. Por pas ndërhyrjeve, objekti u ringrit.

Sipas databazës së trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës, themelet dhe muret mbajtëse të kësaj shtëpie, janë ndërtuar prej materialit të gurit vendor, me madhësi të ndryshme të lidhura me llaç balte.

Kulmi është i mbuluar me pllaka guri, që është karakteristikë e fshatit, derisa enterieri i kësaj shtëpie pritet të plotësohet me fotografitë që dokumentojnë gjurmët e karrierës artistike të Katarina Josipit.

Të ngjajshme