Si jeton gruaja e ish-diktatorit? Një ditë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës (FOTO)

27 Nëntor, 2017 - 10:17 pm

Rëfimi i rrallë i të vesë së Enver Hoxhës për jetën e saj ndërsa kalon pleqërinë në një shtëpi të thjeshtë në periferi të Tiranës. Njihuni me detajet si jeton gruaja e ish-udhëheqësit komunist dhe si i shtyn ditët 96-vjeçarja. Një udhëtim në kohë përmes fotove dhe pikturave që kur nuk flasin vetë tregohen me kujtesë të habitshme nga Nexhmije Hoxha. Dhe dëshmia, a i shkruante vetë fjalimet dhe veprat, Enver Hoxha.

Në arkivin e mëse tremijë intervistave më kishte munguar një intervistë me ish-numrin një të gruas që ka bërë më shumë histori dhe ka ngjallur debate pafund në Shqipëri që nga krijimi i PKSH më 8 nëntor 1941 deri më sot. Nuk e di përse kisha hezituar, por ishte ndoshta dhe mendimi se kishte deklaruar që nuk do të jepte intervistë dhe kjo më kishte stepur disi. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë për këtë figurë kaq të çuditshme të historisë shqiptare, që me jetën e saj shekullore, ka përbrenda ngjarje dhe histori të pabesueshme. Ishte këmbëngulja e kryeredaktorit të “Albanian Free Press”, z. Kurani që të merrja këtë nismë. Në arkivin tim shënoj 8 intervista me ish-anëtarë të Byrosë Politike ku emri i Nexhmije Hoxhës përmendej shpesh. Për të është folur shumë, që nga fjalët më të bukura, por edhe deri në ato më fyeset, por ajo i qëndron besnike idealit të saj duke mos i marrë në konsideratë çfarë flitet. Ajo që e gërryen më tepër qetësinë e saj është hedhja baltë mbi luftën nacional-çlirimtare.

Tek rreth-rrotullimi “Shqiponja” fiks në qendër të saj djathtas-anash kur shkon për në Durrës, një rrugicë e ngushtë si rrugicat e vjetra karakteristike të Tiranës, aty ku kanë qenë dikur zyrat e ish-pularisë së Tiranës, në katin e dytë të çon në vendin ku ndodhet banesa ose thjesht, shtëpia ku banon shoqja (siç kërkon t’i flasësh) Nexhmije Hoxha. Ajo është një ndërtesë dykatëshe me tarracë. Ka një oborr të vogël ku me vështirësi parkohen 4 automjete. Ndërtesa ka ngelur ashtu siç ka qenë, e ndërtuar në kohën e Enverit (siç thonë banorët). Në katin e parë ka 3 familje. Korridori i banesës në hyrje është shumë i gjerë 2.5 metër, në qendër ndodhet dera e një hyrjeje ndërsa në fund majtas ka një kthesë e cila të çon në një korridor ku dallohen tre dyer të tjera (pra tre familje).
Në të djathtë të korridorit janë shkallët e gjera që të çojnë në katin e dytë. Pllakat e dyshemesë janë po ato të kohës së “xhaxhit”, të mëdha, të plasaritura dhe të pamirëmbajtura. Sa ngjitesh në katin e dytë, 5 metra larg kthesës në qendër të korridorit të gjerë ndodhet dera e shtëpisë së Nexhmijes. Dera ka një mbrojtëse të jashtme xhami dhe pastaj dera normale me dërrasë të bërë në vitet e para të demokracisë. Korridori në hyrje të katit të dytë ka dhe një ballkon të gjerë ku banorët dalin në mbrëmje dhe sodisin ambientin para “Shqiponjës’.
Në katin e dytë në tavan ka tre llambadarë shumë të vjetër ku asnjëra prej tyre nuk lëshon dritë, llambat janë të djegura. Para derës së hyrjes së Nexhmijes janë dy tavolina me nga 3 karrige plastike ngjyrë kafe (një majtas-një djathtas derës). Si duket këtu qëndrojnë të afërmit apo miqtë kur vijnë në pranverë apo verë për të biseduar në freski.
Në murin e korridorit në lartësinë 1.2 metër anash derës, është instaluar zilja elektrike e vjetër. Kur troket derën e shtëpisë ta hap Pranvera vajza e Nexhmijes. Trupgjatë, ajo të prêt fytyrëqeshur. Sa hyn të bie në sy një korridor i ngushtë i mbajtur pastër, ku djathtas është një derë e mbyllur, ndërsa majtas, Pranvera të tregon rrugën për të hyrë në dhomën e shoqes Nexhmije Hoxha. Korridori ishte i lyer me bojë plastike të bardhë dhe me gjithë vjetërsinë e godinës, pastërtia dallohej kudo.
Në dhomën e Nexhmije Hoxhës
Në fund të korridorit, djathtas, një derë e bardhë gjysmë me xham shërben si hyrje për në dhomën e Nexhmije Hoxhës. Sa hap derën, Pranvera na uron mirëseardhjen. Në të djathtë të derës, 2 metra larg saj, afër murit, në një kolltuk të zakonshëm gri në të bardhë qëndron 96-vjeçarja Nexhmije Hoxha. Sa hapet dera, ajo ngrihet paksa në këmbë dhe më zgjat dorën me një buzëqeshje.

*****

“E kam gëzuar këtë jetë shumë mes nipërve dhe mbesave”, – thotë Nexhmija. “Kam plot 7 nipër dhe mbesa, – vazhdon ajo, – që më kanë mbushur me gëzim dhe krenari dhe më kanë plotësuar boshllëkun e madh të këtyre viteve”. Lart komosë ndodhen dy portrete në vaj të Enver Hoxhës dhe në krah të djathtë të tyre një foto e rrallë e Nexhmije Hoxhës e bërë në vitin 1944 në Bizë të Martaneshit, në bazën ajrore të amerikano-anglezëve. Në krah të saj ndodhet dhe një portret pikture në vaj i Nexhmije Hoxhës kur ishte studente në Institutin femëror “Mëma Mbretëreshë” e bërë në bazë të një fotoje të saj kur ishte 15 vjeçe.

Në këndin e dhomës në të majtë qëndron e varur një tjetër pikturë e Enver Hoxhës të cilën ia kishte bërë një piktor i ri, emigrant në Francë. Në të djathtën time (përballë Nexhmijes) ndodhej një dritare e madhe, e mbuluar me një tyl të bardhë dhe bezhë, ku kishte mundësi drite. Më tej në një taketuke gjendej boceti i skulpturës që ishte vendosur në Gjirokastër, një bocet i bardhë i ruajtur bukur, ku tregohet Enver Hoxha i ulur me një pallto të hedhur krahëve. Në krah të saj një televizor i vogël plazmë, prodhim i vjetër, 20 polsh (inch). Në fund të murit, majtas, ku mbaron tyli, në lartësinë 1.5 metër nga dyshemeja, ndodhet një foto në xham e Nexhmijes me Enverin, përballë njëri-tjetrit, ulur në karrige, foto e shkrepur në Drilon. Ndërsa mbrapa një bibliotekë e madhe e vjetër ngjyrë kafe, ku dominojnë librat e Enver Hoxhës, por edhe ato të Nexhmijes.

Në tavan, një llambadar i thjeshtë ndriçonte dhomën me përmasa 4.5×4 metër katrorë. Në krah të djathtë të kolltukut ku ishte ulur Nexhmija, ndodhej krevati dopio, i Nexhmijes. Një krevat hekuri i thjeshtë, pa kokë dhe fundore, i mbuluar me një batanije ngjyrë kafe dhe bezhë me kuadrate, e pastër dhe në fund të këmbëve qëndronte pulti komandimit të televizorit.

Kur e pyes se kush i ka bërë fotografitë dhe pikturat, ku janë bërë dhe kohën Nexhmija përgjigjet: “Foton kryesore që kam mbi kokë dhe foton ku është Enveri në Drilon, jashtë, mes burimeve ujore dhe pemëve e ka bërë Sulo Gradeci”, – sqaron Nexhmija. Thuajse të gjitha fotot e Drilonit dhe në Pogradec janë fotografi të tij. Kryesisht në punë, në pushime apo dhe gëzime familjare fotot i bënte Sulo Gradeci. Kjo është fotoja më popullore e tij. Po ashtu dhe shumicën e fotove familjare i realizonte Sulo Gradeci”.

****

Duke qenë se Enveri është nga Labëria dhe e quante veten lab safi Nexhmija ka ndjekur me vëmendje të gjitha aktivitetet e Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria që ajo e quan kryeshoqatë. Madje ajo ka përgatitur dhe një letër falënderimi për këtë Shoqatë e cila ka karakter të theksuar patriotik por edhe mbron dhe nderon luftën nacional-çlirimtare. Këtë letër ajo e ka shkruar me dorë, ku bie në sy shkrimi i saj i bukur, i qartë dhe pa gabime. Një shkrim tejet I lexueshëm dhe korrekt. Në bisedë ajo thekson se Enveri e donte shumë këngën labe por edhe e këndonte çdo mëngjes. Sipas kujtimeve të saj Enveri kur shkonte të rruhej patjetër do të këndonte labçe. Dy janë këngët që ai kishte më për zemër: “Çerçiz Topulli më thonë” dhe ” Bilbilenjtë 13 vanë në litarë vetë”. Këto këngë i dëgjonte me vëmendje kur i jepte radio Tirana por edhe I kishte të incizuara. Këto këngë sikur i jepnin forcë thotë ajo. Kur ishin gjallë prindërit e Enverit, ai shkonte në dhomën e pritjes së tyre dhe fillonte këndonte me babanë e tij Halilin i cili pëlqente po këto këngë. Halili ja merrte dhe Enveri ja kthente. Aneja dëgjonte dhe kënaqej.

****

Kur biseda jonë erdhi rreth luftës Nacionalçlirimtare, Nexhmija shpesh herë tundte kokën. “Nuk e kuptoj, – thotë, – pse hidhet kaq baltë ndaj kësaj lufte, kur edhe ish-aleatët tanë e vlerësojnë pa masë”. Më tej më tregon dhe librin voluminoz (ma dhuron) që ka bërë për këtë luftë heroike. Nuk heziton të thotë se “ajo mbetet lufta më e madhe popullore dhe më e organizuar e popullit shqiptar”. Duke u ndalur tregon se “ndjek çdo gazetë që publikon për luftën dhe vlerëson shumë shoqatën Labëria që respekton të rënët por edhe datat më historike të kësaj lufte”.
Kërkesa

Kur po dilja dhe i dhashë dorën, Nexhmije Hoxha më bëri një kërkesë: Nuk bëmë intervistë, por një bisedë e shoqëruar me ilustrimin e fotove. “Kurrsesi s’dua ta cilësosh intervistë, pasi ishte këmbëngulja jote që më theu. Kam dhënë fjalën se s’do jap më intervista”, – thekson ajo. Kurse shton: Këtu në komodinë, kam ende shumë kujtime…
Jetëshkrimi i Nexhmije Hoxhës

Nexhmije Hoxha u lind më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. / “Albanian Free Press” / KultPlus.com

Të ngjajshme