Si u vendos më 1922 që monedha kombëtare të quhej “Lek”

29 Mars, 2019 - 3:30 pm

“Këshilli Ministruer për me mujtë me i ba ball krizit financjar ka vendue me pre bankanota qi kanë për t’u quejtë Lekë, për 3 miluj franga ar. Nji frang ar thohet se ka për të pasë vleftën e 5 Lekvet; kështu qi për nji napulion kanë me u dashtë 100 Lekë”.

Kështu e raportonte gazeta Agimi vendimin e parlamentit të shkurtit të vitit 1922 ku për herë të parë u vendos me ligj për emërtimin e monedhës kombëtare shqiptare që u quajt Lekë.

Në fakt, vendimi nuk gjeti zbatim pasi qeveria e kohës po negocionte për krijimin e bankës kombëtare e nga ana tjetër, i vlerësoi si shumë të kushtueshme ofertat e printimit të parave shqiptare.

Veç kartëmonedhave krahinore të emetuara nga bashkitë si nevojë për të lehtësuar tregtinë, emetimi i kartëmonedhave shqiptare u bë në vitin 1926, pas krijimit të Bankës Kombëtare te Shqipnis’.

Për prejardhjen e emrit të monedhës shqiptare ka diskutime të shumta. Studiuesit italianë në botimet e viteve ’30 dhe ’40 mbështesin më shumë tezën se emërtesën monedha kombëtare e Shqipërisë u emërtua në nderim të emrit të krishterë të heroit kombëtar Skënderbeut.

Studimet e mëvonshme kanë dalë në konkluzionin se emërtesa ka ardhur në nderim të Aleksandrit apo Lekës së Madh. Në fakt, kjo e dytë merret më së shumti si më e sakta kjo edhe për vetë faktin se në emetimet e mëvonshme të monedhës në 1926 dhe kartëmonedhës në vitet ‘40 përfaqësohet imazhi i tij.

Megjithatë, duhet konsideruar edhe diskutimi që u bë në seancën e pasdites së 13 shkurtit të vitit 1922 ku u bë për herë të parë në mënyrë ligjore emërtimi i monedhës zyrtare shqiptare Lekë.

Në këtë seancë plenare ku u diskutua për krijimin e monedhës kombëtare variantet e propozuara ishin tre. 2 variante u propozuan nga Komisioni parlamentar i Financave dhe 1 variant nga qeveria. Parlamenti miratoi në fakt variantin e qeverisë.

Në kohën kur diskutoheshin variantet për krijimin e monedhës kombëtare, vendi përballej me vështirësi të shumta si rrjedhojë e mungesës së bankës dhe të monedhës kombëtare.

Luhatjet e kursit të këmbimit e gjithashtu edhe mungesa e parasë së vogël që përdorej për këmbime tregtare, kishin bërë që ekonomia dhe tregtarët të pësonin humbje të mëdha e pengesa në kryerjen e transaksioneve.

Më herët, në kushtet e mungesës së monedhës divizionare, bashkitë kryesore të vendit ishin lejuar që të emetonin disa kartëmonedha, që mund të përdoreshin vetëm në territorin e tyre.

Por duke qenë se shumat e emetuara ishin shumë të vogla (200 mijë franga ar) një pjesë e madhe e tyre u tërhoq nga tregu nga koleksionistët shqiptarë e të huaj që i fusnin në koleksionin e tyre, duke bërë që të mos kishte ndonjë rezultat të madh të tyre.

E njëjta frikë paraqitej edhe në këtë rast, duke qenë se emetimi që do të bëhej do të ishte i kufizuar, rreziku ishte që një pjesë e madhe e parave që do të emetoheshin të tërhiqeshin nga koleksionistët.

Ndaj, projekti i shkurtit të vitit 1922 synonte pikërisht që t’u jepte zgjidhje këtyre problematikave të konstatuara, pra krijimin e monedhës kombëtare e gjithashtu edhe emërtimin e saj.

Projekti i shumicës së Komisionit të Financave

Në projektin për krijimin e monedhës kombëtare, të propozuar nga shumica e Komisionit të Financave evidentohej se monedha kombëtare emetohej “për të shpëtuar popullin nga dëmet që rrjedhin nga ndryshimet e kursit të monedhave të huaja që qarkullojnë në Shqipëri dhe për të lehtësuar qarkullimin e monedhës së vogël, qeveria e pa të nevojshme prerjen e letrave me vlerë, si letra monedhë kombëtare”.

Në nenin 2 të propozimit të Komisionit shkruhej se “Pareja e Shqipnis emnohet “LEKE”. Leka ndahet në 100 qintima”.

Sa i përket sasisë së parave që do të viheshin në qarkullim, propozimi i shumicës së Komisionit të Financave ishte për sasinë 10 milion franga ari. Në këtë rast, projekti parashikonte që qeveria shqiptare, për të garantuar paranë që vinte në qarkullim, detyrohej të depozitonte në një bankë të huaj shumën analoge në ar.

Për të siguruar këtë shumë, parashikohej të përdoreshin të ardhurat që siguroheshin nga koncesionet e pyjeve që jepte shteti shqiptar si dhe prej të ardhurave në ar që arrinte të siguronte arka e shtetit në veprimet e saj.

Projekti parashikonte gjithashtu se baza e letrës caktohej duke llogaritur raportin 100 lekë-20 franga ar. Mbi çdo kartëmonedhë duhej të shkruhej numri i Lekës dhe vlefta e saj në bazë të arit. Kartëmonedhat duhej të vërtetoheshin prej Ministrit të Financave dhe Arkëtarit të Përgjithshëm të shtetit.

Projekti parashikonte gjithashtu se “qeveria pasi të garantojë emisionin e parë të letrës me vleftë 10 milion franga ar, ka të drejtë të presë dhe 10 milion franga ari letër”

Për të ndjekur ecurinë e futjes në treg të kartëmonedhës shqiptare parashikohej të ngrihej një komision i posaçëm parlamentar.

Projekti i propozuar parashikonte detyrimin që qeveria të merrte prej tregtarëve paranë letër dhe t’u jepte këtyre vlerën analoge vetëm për shumën e nevojshme që ata kishin për të paguar jashtë për mallin që importonin.

Ndërkohë, ata që dëshironin të udhëtonin në shtetet e huaja kishin të drejtë që të shkëmbenin në zyrat e financës dhe të merrnin monedhë të huaj për nevojat e udhëtimit ose për nevoja të tjera vetjake. Në këtë mënyrë synohet që të ndalohej dalja jashtë vendit e kartëmonedhës kombëtare.

Projekti parashikonte gjithashtu se qarkullimi në Shqipëri i kartëmonedhave të huaja dhe i monedhave të arit e argjendit ishte i ndaluar sapo të viheshin në qarkullim kartëmonedhat kombëtare.

Projekti i pakicës së Komisionit të Financave. Monedha kombëtare të quhet Skënder

Komisioni i financave ishte paraqitur në Kuvend me dy propozime. Ndryshe nga propozimi i parë, propozimi i dytë i pakicës parashikonte që qeverisë t’i jepej e drejta që të emetonte më shumë para nga sa parashikohej në projektin e shumicës.

Sipas këtij projekti, qeveria duhej të emetonte kartëmonedha me vlerë 25 milion franga ar. Ndryshe nga shumica, pakica e komisionit mendonte se “monedha kombëtare “unita monataire” asht frangu ar e cila quhet SKENDER dhe do të ndahet në 5 lekë”.

Edhe në këtë rast, parashikohej formimi i një komisioni parlamentar prej tre vetësh për të kontrolluar sigurimin e kartëmonedhës kombëtare me anën e depozitimit në një bankë të sigurt të huaj.

Ndryshe nga projekti i shumicës që i jepet të drejtë qeverisë që të bënte dy emetime me nga 10 milionë franga, projekti i pakicës përcaktonte detyrimin që pasi të mblidhen 2 milion skendërë, qeveria detyrohej të themelonte Bankën Kombëtare.

Projekti i qeverisë

Ndryshe nga sa propozonin dy palët nga Komisioni i Financave, vetë qeveria u paraqit në seancë plenare me një variant që përcaktonte emetimin e më pak parave. Qeveria kërkonte të emetonte 3 milion franga ar. Ashtu si shumica e komisionit të Financave, edhe qeveria propozonte që paraja e Shqipërisë të emërtohej LEKË.

Ndërsa sa i përkiste qarkullimit të monedhave të tjera të huaja në vend, qeveria nuk propozonte ndalimin e tyre por një qarkullim paralel. Raporti i kartëmonedhës 100 lekë =20 franga ari. Në fakt, ky variant do të arrinte të miratohej nga parlamenti, pasi u diskutua për secilin prej tyre.

Diskutimet në Këshillin Kombëtar, të emërtohet Lekë ose Shqipe

Projekti për krijimin e monedhës kombëtare ishte në fakt një projekt i përgatitur më herët, edhe pse paraqitja e tij në Kuvend u bë në shkurt të vitit 1922. Ky fakt përmendet nga deputeti Bahri Omari i cili në fjalimin e tij u shpreh se ‘pares ja kemi vu emrin Lekë e ky projekt që kemi paraqitë e kemi gjetun të pregatitun por ka pasë kenë për parë nikel por ne e kemi pa ma t’arsyeshme e ma të lehtë me i pre letër, pse për me ba pare nikeli lipsen veprime më të mëdha”.

Në seancë ishte i pranishëm edhe Ahmet Zogu por në cilësinë e ministrit të Brendshëm dhe që nuk përfshihet aspak në këtë diskutim.

Bahri Omari në fjalimet e tij bën pyetjen direkte: Nga u muer Fjala Lekë?

E përgjigjia e kryeministrit Xhafer Ypi e shënuar në procesverbalet e Kuvendit është e shkurtër: Asht marrë nga Lek Dukagjini!

Ndërsa Shefqet Dajiu në fjalën e tij del kundër kësaj emërtese me argumentin se “fjala Lekë ka nji kuptim jo të mirë në vendin tonë” prandaj ai propozon që të emërtohet “Shqipe”.

Pas këtij propozimi, kryesuesi i seancës e hedh në votim propozimin që paraja e Shqipërisë të quhet Lekë. Propozimi miratohet me 25 vota. Në këtë seancë mungonin për arsye të ndryshme 19 deputetë.

Në fakt, ky ligj nuk gjeti zbatim e do të duheshin edhe 4 vite të tjera që të krijohej Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Ajo që duhet evidentuar është se pavarësisht argumentimit të kryeministrit, në asnjë nga emetimet e monedhave e kartëmonedhave nuk përfaqësohet imazhi i Lekë Dukagjinit por vetëm i Skënderbeut dhe Lekës së Madh.

Cila ishte monedha zyrtare, leku apo frangu?

Ajo që ndodhi në Shqipëri në seancën e shkurtit të vitit 1922 në fakt ishte krijimi i një njësie të re monetare, pasi nuk u shfuqizua frangu ar por paralelisht u krijua një njësi e re monetare e emërtuar Lekë.

Ekzistenca e dy emërtesave të njësive monetare të vendit, frang dhe lekë në fakt do të krijonte jo pak konfuzion në popullatë. Shqetësimi do të reflektohej edhe në seancën e 12 prillit të vitit 1926.

Deputeti Selaudin Blloshmi do të evidentonte në fjalimin e tij se kur Shqipëria pranoi sistemin e lekut, nuk pranoi një bazë monetare të re pasi baza monetare e vendit ishte frangu ar, i sistemit metrik latin që parashikon ndarjen në 100 pjesë të njësisë monetare.

“Por për të lehtësuar tregtinë frangë ari e ndamë në 5 pjesë të cilat i pagëzuam me emrin Lekë duke u bazuar në traditat e historinë kombëtare” do të shprehej ai.

Pas këtij diskutimi, ministri i Financave Sulejman Starova do të pranonte se Leku nuk ishte një monedhë e veçantë por një pjestim i frangës ar.

Ndërsa deputeti Hiqmet Delvina e cilësonte si gabim faktin se në vend ishin dy lloje monedhash, frangu ar dhe leku.

“Nuk kuptohet cilën kemi monedhë kombëtare” shprehej Delvina.

Situata do të vijonte të ishte e tillë deri në vitin 1947 kur u miratua dekretligji që hoqi nga qarkullimi kartëmonedhat Frang. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku./ Kreshnik Kuçaj, Tv Scan/ KultPlus.com

Të ngjajshme