“Skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet”, pamje nga Guri i Kamjes në Pogradec

28 Maj, 2021 - 10:58 am

Guri i Kamjes është një monument i natyrës pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, ku era ka gdhendur në shekuj mikroforma të çuditshme, plot vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe ka krijuar një skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një material spektakolar të përgatitur nga djemtë e talentuar të “Albania by Drone”.

Guri i Kamjes, një monument i natyrës, ndodhet pranë fshatit Dardhë të rrethit të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1461 m mbi nivelin e detit.

Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anije që lundron në një det të hapur”.

Është i gjatë rreth 100 m, i gjerë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.

Mbi këtë formë relievi veprojnë proceset e erozionit dhe era, që kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike dhe didaktike me rëndësi lokale.

Mund të vizitohet sipas itinerarit: Pogradec-Leshnicë-Trebinjë dhe vlen si një destinacion për turizmin e natyrës. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme