“Sofat”, festivali që i kushtohet pasurisë kulturore të jetës rurale vjen së shpejti

25 Shtator, 2019 - 4:00 pm

Projekti më i ri në fushën e kulturës dhe turizmit po vjen me një varg aktivitetesh, shkruan KultPlus.

SOFAT është një festival kushtuar pasurisë kulturore të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks të cilin tashmë po e rizbulojmë e rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. Festivali ka për qëllim që përveçse të sjellë në vëmendje vlerat e larmishme të zonës së Asim Zenelit, Libohovës e në përgjithësi qarkut të Gjirokastrës, të na lidhë me atë pjesë më të gjerë të identitetit tonë gjeografik që është Mesdheu. Në këto data e vende do të keni mundësi që të vilni rrush e fruta të ndryshme, të zieni raki, të shkoni nëpër baxho e ferma kuajsh, të gatuani me njerëzit e zonës dhe mbi të gjitha të kërceni e dëfreni me ta. Një numër i privilegjuar vizitorësh do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme.

Të gjitha këto ndjesi do të kemi mundësi t’i provoni më datë 27 e 28 Shtator në Asim Zenel (Gjirokastër) dhe në 4 e 5 Tetor në Libohovë.

Hyrja në koncert do të jetë e lirë për të gjithë pjesëmarrësit.

Organizuar nga Turtle Fest dhe Visit-Gjirokastra, me mbështetjen e RISIAlbania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Institutit Italian të Kulturës, Bashkisë Gjirokastër dhe Libohovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme