Sot, Dita Ndërkombëtare e Muzeut

18 Maj, 2021 - 10:00 am

Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takojnë njerëz dhe t’i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë.

Çdo vit, muzetë nga e gjithë bota janë të ftuar të marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën, duke krijuar veprimtari unike, falas dhe argëtuese rreth një teme që diskutohet në mënyrë specifike për këtë ditë të veçantë.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. Sivjet nuk pritet të ketë aktivitete me rastin e kësaj dite, për shkak të pandemisë me koronavirus që ka prekur pothuajse të gjithë botën.

Me qëllim të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, kanë organizuar një agjendë me aktivitete të ndryshme.

Sot, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00 do të ekspozohen punimet e pjesëmarrësve, në kuadër të aktivitetit “Arka Arkeologjike dhe Etnologjike”, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me Festivalin e Muraleve në Ferizaj.

Nesër gjithashtu në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00 do të promovohet ekspozita e veçantë e koleksionit të figurës qendrore të trashëgimisë muzikore folklorike të ndjerit Shaqir Hoti. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme