‘South Outdoor Festival’ rikthehet në Borsh, festivali që gërsheton sportin dhe kulturën

14 Korrik, 2021 - 11:19 am

‘South Outdoor Festival’ do të rikthehet këtë vit në datat 3-6 shtator, në edicionin e 4-të pas një viti pushim si pasojë e pandemisë.

‘South Outdoor Festival’ është një festival e të gjitha gjërave që zhvillohen në natyrë: sporti, kultura, tradita, muzika, natyra dhe ushqimi.

Gjatë veprimtarisë 4-ditore, që zhvillohet çdo vit në fshatin Borsh në jug të Shqipërisë, festivali fton pjesëmarrës nga të gjithë vendi dhe Evropa të bashkohen, të konkurrojnë dhe të argëtohen, duke shijuar dhe përjetuar veçantinë që e bën Rivierën e bukur të Shqipërisë të veçantë, shkruan KultPlus.

Organizatorët e këtij festivali të mbështetur nga qeveria gjermane me iniciativën e GIZ Albania, kanë mbajtur një konferencë në Prishtinë,  ku kanë shpalosur detaje për edicionin e sivjetmë. “Është edicioni i katërt, por viti i pestë, vitin e kaluar ishim në pushim si e gjithë bota por këtë vit ne kemi mbledhur energji dhe të vitit të kaluar dhe kemi menduar që të gjithë ato gjëra që do bënim vjet dhe sivjet, t’i bënim të dyja në këtë edicion.

Festivali ka filluar në 2017-n, që prej vitit të pare ka qenë iniciative e GIZ Albania. Qëllimi ka qenë zhvillimi dhe promovimi i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe konkretisht në rastin e ‘South Outdoor Festival’ ka qenë promovimi i zonës së jugut të Shqipërisë, ku shumica e njerëzve e njohin për plazhin, por jugu nuk ka vetëm plazhin, ka shumë potenciale të fshehura, që ne nëpërmjet festivalit jemi munduar që t’ia bëjmë prezente të gjithë turistëve.”-thotë Bledar Leka, organizator i këtij festivali.

Pjesëmarrës në këtë festival do të jetë edhe Roland Hysi nga grupi West Side Family, i cili është ambasador i këtij festivali. “Jam pjese këtij festivali sepse e vlerësoj si një festival që të gjithë duhet ta provojnë dhe reklamojnë si një festival të cilin do ta cilësoja si ‘one stop shop’ ,ku ti do të shkosh të përzgjedhësh një sërë aktivitetesh që ti di t’i bësh, por edhe nëse nuk di, ka prapë hapësirë për të eksploruar, për t’u kënaqur, për të kaluar mirë, për të provuar një gatim ndryshe, për të mësuar diçka për kulturën, sportin etj”- u shpreh Landi në këtë konferencë.

Përveç West Side Family, ky festival do të bëjë bashkë artistë si Urban Band, Orgesa Zaimi & Band, Jericho, Offchestra, Marsela Çibukaj, Eugent Bushpepa, Dj Nicky etj. Kurse, për herë të parë në këtë festival do të jetë i pranishëm edhe Mahmut Orhan, Dj i njohur turk./KultPlus.com

Të ngjajshme