Stërnipi i Hasan Prishtinës kundër Kadri Veselit për zhvendosjen e eshtrave të patriotit shqiptar në Prishtinë

16 Gusht, 2018 - 11:15 am

Pas kërkesës nga kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, për të marrë në Kosovë eshtrat e patriotit Hasan Prishtina, ka ardhur reagimi nga familjarë të tij.

Stërnipi i patriotit, Mehmet Prishtina deklaron se është kundër idesë së hedhur nga Veseli. Ai shprehet se eshtrat e Hasan Prishtinës nuk duhet të lëvizen nga aty ku prehen.

Në një reagim të botuar ditë më parë në revistën Flaka, Mehmet Prishtina thotë se Hasan Prishtina e ka vendin aty ku bashkohet kufiri dhe idetë e kombit shqiptar. Përkundër kërkesës për zhvarrosjen e eshtrave, stërnipi i Hasan Prishtinës thotë se autoritetet në Kosovë duhet të angazhohen që hapësira tek varri i tij në Kukës, të rregullohej e të ndërtohet edhe Muzeu i madh i Bashkimit Kombëtar, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë.

‘Ata duhet që bashkë me institucionet e shtetit shqiptarë, të kujdeseshin që në Vlorën e Pavarësisë krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e tjerëve patriot të vendoset edhe Hasan Prishtina në sheshin e flamurit, siç u vendos në Prishtinë e më vonë edhe në Shkup e Tiranë, dhe përfundimisht në qytetin shqiptar në Kukës të derdhet në bronz shtati i shenjtë e i shtrenjtë i Hasan Prishtinës, pasi aty afër e ka edhe varrin, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë’, shkruan në reagimin e tij, Mehmet Prishtina, ndërsa thekson se çdo nismë për t’ i lëvizur eshtrat, është vetëm thellim i ndarjes së shqiptarëve dhe mos respekt e mos nderim ndaj figurës dhe doktrinës së tij hasaniste.

Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, kreu i Kuvendit në Kosovë Kadri Veseli tha, pak ditë më parë, se eshtrat e tij duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi./ KultPlus.com

Të ngjajshme