Studentja e parë nga Kosova në kolegjin më prestigjioz në Florida

27 Prill, 2019 - 7:00 pm

Donika Zeka është edhe një kosovare tjetër, e cila po ia ‘zbardh’ fytyrën Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo është e vetmja studente nga Kosova që ka arritur të jetë pjesë e kolegjit me prestigjioz në Florida, ‘Rollins’, pjesë e së cilës ajo po arrin shumë suksese.

24-vjeçarja nga Gjakova në një bisedë për Indeksonline ka treguar për fillimin e rrugëtimit të saj akademik dhe anëtarësimit në shoqëri ndërkombëtare të njohura si “Phi Theta Kappa Honor Society’ dhe “National Society of Leadership and Success”, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, ajo për shkak të sukseseve ka arritur të jetë në listën e bursave presidenciale që iu jepen vetëm studentëve me arritje më të lartë akademike për shkak të notave më të larta.

“Rrugëtimi im akademik në US startoi në vitin 2015 në Valencia Community College, ku aty mora diplomën për “Associate in General Arts” me GPA 4.0 (qe e konvertuar në vlerën numerike të mesatares në Kosovë i bie 10.0). Për shkak të përformancës së lartë akademike mora ftesë të bëhem për dy vjet anëtare e nderit e ‘Phi Theta Kappa’, që është shoqëri nderi ndëkombëtare e kolegjeve dyvjeçare dhe programeve akademike për studentët. Përpos anëtarësimit tim në Phi theta Kappa, kisha marrë po ashtu ftesën të bëhem anëtare e ‘National Society of Leadership and Success’ (Shoqëri Kombëtare e lidershipit dhe suksesit” që është më e madhja në vend, ku studentët selektohen nga kolegjet duke u bazuar në të arritura akademike dhe potencialin udhëheqës”, ka thënë Zeka.

Përveç anëtarësimit në këto dy shoqëri prestigjioze, ajo arriti të fitojë bursën presidenciale (Presidencial scholarship), që jepet duke u bazuar në performacën akademike.

Për shkak të arritjeve akademike të studentes nga Kosova, ajo u pranua nga kolegji më i njohur në Florida dhe që për vitin 2018 është renditur si kolegji më i mirë.

Bëhet fjalë për ‘Rollins College’, ku Zeka është studentja e parë nga Kosova që ka arritur të pranohet.

“Pas anëtarësimit tim në këto dy shoqëri, pata privilegjin të fitojë bursën presidenciale (Presidential Scholarship), që dhurohet në bazë të performancës akademike, nga Rollins College, i cili është kolegji më i vjetër i njohur në Florida dhe po ashtu në vitin 2017- 2018 është renditur si kolegji më i mirë në Florida nga ‘College Consensuses’ i renditur në bazë të shkollës dhe rishikimit të arritjes së studentëve”, ka thënë tutje ajo.

Par dy vjetëve ajo filloi studimet në Rollins, ku pretendon të diplomojë në semestrin vjeshtor në këtë vit. E reja nga Kosova ka treguar se për shkak të mesatares së notave në çdo semestër ka qenë pjesë e ‘Dean’s list and President’s list’, Listave të Presidentit / Dekanit.

Studentët vendosën në këtë listë nëse kanë notë mesatare prej 3.5 e më lart.

“Rrjedhimisht në vitin 2017 vijova studimet në Rollins College, për ‘Menaxhim të biznesit’, ku pretendoj të diplomoj në semestrin vjeshtor në 2019-ën. Qysh nga startimi i studimeve të mia si studente ndërkombëtare në US kam qenë në çdo semester e caktuar në  ‘Dean’s list and President’s list. Ky dallim i jepet studentëve që kanë përfunduar një minimum prej gjashtëmbëdhjetë (16) orëve të semestrave të cilët kanë fituar mesataren e notave (grade GPA) nga 3.5 deri te 4.0. Por aspekti më i rëndësishëm për mua ka qenë kur kam marrë informacionin nga Rollins College se jam studentja e parë nga Republika e Kosovës që jam pranuar dhe vijoj studimet në këtë kolegj”, ka përfunduar ajo.

Studentja nga Gjakova për herë të parë ka vizituar Amerikën si turiste në verën e vitit 2011. Ndërsa, në vitin 2015 ajo mori vizë studentore, ku edhe nisi studimet në Amerikë.

Familja e saj jeton në Kosovë, ndërsa ajo bashkë me motrën po qëndron atje.

Të ngjajshme