Studiuesit e huaj interes për studimin e arkivave shqiptare

15 Dhjetor, 2017 - 9:13 pm

“Drita e arkivave, dritë mbi arkivat” ishte tema e konferencës shkencore ku në fokus ishte interesi në rritje i studiuesve të huaj dhe vendas për studimin e arkivave, si burim parësor për histori shkrimin tonë, që u zhvillua sot në sallën “Kongresi i Tristes”, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në Tiranë.

Kjo konferencë u realizua nga e përkohshmja “Shêjzat – Pleiades” e themeluar në Romë në vitin 1957, në vijim të nismës për vlerësimin e burimeve arkivore të historisë sonë kombëtare, që u kurorëzua me zhvillimin e kuvendit “L’Albania nell’Archivio della Propaganda Fide”, në Vatikan në 26-27 tetor 2015, si dhe mbështetjen e MEPJ-së, Ministrisë së Kulturës dhe me bashkëpunimin e ngushtë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Në konferencë morën pjesë 14 studiues, ndër të cilët përmendim: Lucia Nadin, Italo Sarro, Persida Asllani, Ardian Ndreca, Marenglen Kasmi, Andi Rembeci, David Hosaflock etj., të cilët do të folën për kërkimet e tyre në arkivat e Vatikanit, Venedikut, në Arkivin e Shtetit, në Arkivat Ushtarake gjermane dhe italiane, në Arkivin e MEPJ, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë etj.

Bashkëpunimi i ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, është tregues i energjisë pozitive që ekziston mes institucioneve dhe studiuesve, të cilët punojnë që drita e arkivave të kthehet në burim për shkrimin sa më objektiv të historisë sonë, larg interpretimeve të politizuara dhe atyre romantike.

Mbështetja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është tregues i interesit që diplomacia jonë e sotme tregon për paraqitjen sa më objektive të historisë sonë në botë.

Mbështetja e Ministrisë së Kulturës e një iniciative të tillë, me reliev të spikatur kulturor, tregon ndjeshmërinë e këtij institucioni themelor në promovimin e vlerave parësorë të kulturës dhe shkencës sonë. Prania e realiteteve të ndryshme në këtë aktivitet tregon se ekziston mundësia për të gjetur shtigje të reja bashkëpunimi për rakordimin e punës kërkimore mes institucioneve dhe historianëve./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme