Së shpejti hapet Muzeu i Luftës në kryeqytetin e Kosovës

Maj 30, 2018 - 12:52 pm

Qyteti i Prishtinës po planifikon të hapë muzeun e tij të krimeve të luftës në një bunker që nuk përdoret i kohës së komunizmit për të shfaqur aty ekspozita mbi mizoritë e kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.

Një bunker i harruar që u ndërtua gjatë kohës së komunizmit për të ofruar strehim për banorët e kryeqytetit të Kosovës në rast të një katastrofe natyrore ose trazirash mund të përdoret për të nxjerrë në pah krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999, nëse gjithçka shkon sipas planit.

Edhe pse ideja po përpunohet ende nga institucionet komunale të qytetit, nismëtari i saj, hulumtuesi i të drejtave të njeriut i arsimuar në Bolonjë Shkëlzen Gashi, thotë se muzeu do të paraqesë dëshmi gjithëpërfshirëse për atë që ndodhi në Kosovë në vitet e dhunshme në fund të shekullit të 20-të.

“Muzeu do të portretizonte masakrat kundër civilëve përpara, gjatë dhe pas fushatës së bombardimeve të NATO-s,” tha Gashi për BIRN, duke iu referuar 78 ditëve të sulmit ajror të aleancës perëndimore që çuan në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova në qershor 1999.

Ai tha se një pjesë e muzeut do t’i kushtohet të gjitha komuniteteve të ndryshme që u prekën nga konflikti.

“Do të ketë dëshmi për gratë dhe burrat e dhunuar, burgimet dhe personat e zhdukur. Do të ketë edhe prova për fshatrat e shkatërruara, gratë e mbetura pa burra, familjet që nuk kanë informacione rreth vendndodhjes së të afërmve të tyre, si dhe deportimet masive të popullsisë,” shpjegoi ai.

“Ne do të tregojmë shkatërrimin e objekteve përfshirë shtëpi, shkolla, qendra shëndetësore, fabrika, xhami, teqe dhe kisha,” shtoi ai.

Zyrtarët nga komuna e Prishtinës thanë se hapja e muzeut do të jetë një nga prioritetet e saj më të larta.

Yll Rugova, i cili drejton Departamentin për Kulturën në komunë, tha për BIRN se muzeu do të jetë pjesë e muzeut të qytetit të Prishtinës, i cili, tha ai, do të ngrihet së shpejti.

“Ne menduam që lokacioni i muzeut do të ishte bunkeri në lagjen Ulpiana. Ka një hapësirë prej më shumë se 650 metrash katrorë e cila nuk është në përdorim. Por zgjedhja e vendndodhjes nuk është ende përfundimtare,” tha Rugova.

Ai beson se muzeu do të jetë një atraksion turistik, por gjithashtu do të shërbejë për një qëllim më serioz.

“Mendoj se ky muze do të jetë pikë së pari për viktimat e luftës dhe do të përmbajë kujtimet dhe dëshmitë e tyre,” shpjegoi ai.

Teuta Hoxhaj-Jahaj është një eksperte ligjore e cila u kontraktua nga Swisscontact, një organizatë jofitimprurëse e përfshirë në projekte për të reduktuar varfërinë në vendet në zhvillim dhe në tranzicion, për të ndihmuar komunën e Prishtinës të zhvillojë sektorin e saj të turizmit.

Ajo tha se muzeu do t’i përgjigjet kërkesave të shumta të turistëve, por do të jetë gjithashtu një pasuri për vendasit.

“Kjo do të kontribuonte në kujtesën kolektive. Ai do t’i përkasë brezave të ardhshëm, që të mos harrohet,” shpjegoi Hoxhaj-Jahaj.

Megjithatë, shtoi ajo, ajo që nevojitet fillimisht është një hulumtim për atë që duhet të përmbajë saktësisht muzeu.

Zyrtarët e komunës së Prishtinës besojnë se ai u ofron vizitorëve një vend që do t’i prekë ata emocionalisht, duke ekspozuar trashëgiminë e një lufte e cila e la vendin të shkatërruar, me më shumë se 12,000 njerëz të vrarë dhe marrëdhëniet ndëretnike të shkatërruara.

Përveç sendeve personale, fotografive, objekteve, pritet që të ekspozohen edhe artikuj rreth luftës së Kosovës nga gazetat lokale dhe ndërkombëtare.

Por përveç sendeve që ringjallin kujtime të mizorive dhe urrejtjes, krijuesit e muzeut të propozuar gjithashtu duan që të ketë ekspozita që ofrojnë një mesazh paqeje dhe bashkëjetese.

Nëse projekti realizohet, Prishtina do të bëhet kryeqyteti më i fundit ballkanik që përdor një bunker komunist të vjetër si një atraksion turistik, duke ndjekur shembullin e Tiranës.

Në shtator të vitit të kaluar, Fondi për të Drejtën Humanitare hapi gjithashtu në Prishtinë një qendër dokumentacioni për krimet e luftës me informacione nga pesë gjyqe që kishin lidhje me Kosovën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Shkëlzen Gashi tha se muzeu, mbi të gjitha, do të ishte një homazh për viktimat e luftës.

“Prishtina nuk ka monumente për viktimat, vetëm për heronjtë”, tha ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme