‘Taksa e Karantinës’ që u aplikua për 50 vjet në tokat shqiptare

9 Maj, 2021 - 2:58 pm

Shqipëria është përballur disa herë më epidemi, kryesisht murtaje dhe kolere. E, në këtë kushte ka aplikuar edhe karantinën si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Madje, për rreth 50 vjet në pikat kufitare të Shqipërisë paguhej edhe Taksa e Karantinës që u merrej udhëtarëve, anijeve dhe paguhej edhe për mallrat.

Bashkë me këtë taksë paguhej edhe taksa tjetër që njihej si Taksa Veterinare që merrej për kafshët dhe produktet e tyre.

Ekzistencën e kësaj takse e përmend Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis’” ku evidenton se ajo erdhi si rrjedhojë e masave që u aplikuan në të gjithë Perandorinë Osmane.

“Taksa e karantinës është marrë në bazë të ligjit të datës 31 maj 1871 nga Administrata e Karantinës duke nxjerrë dhe shpenzuar vetë pa qenë paraparë në buxhetet e shtetit. Kjo taksë quhej dikur ‘Taksë Shëndetësije Personale’ dhe merrej prej udhëtarëve, anijeve e sendeve. Një taksë tjetër e ngjashme ishte taksa veterinare e emërtuar ‘Taksë Shëndetësije Shtazore’ dhe merrej përkundrejt shërbimit veterinar mbi kafshët dhe lëndët e tyre, kur ato kalonin në vende të caktuara tokësore ose detare”, shkruan Haxhi Shkoza.

Taksa që duhej paguar ishte e kategorizuar në madhësinë e anijeve duke nisur nga tr grosh për anijet që mbanin ngarkesa deri në një ton dhe 36 grosh në maksimum për anijet më të mëdha se shtatë ton. Tarifat për t’u paguar ishin aq të detajuara sa parashikonin edhe pagesën që duhej bërë për dezinfektimin e rrobave mbi bazën e shkallës së vështirësisë që duhej për dezinfektimin e tyre.

Sipas Shkozës, legjislacioni financiar i mësipërm u pranua edhe nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe duhet të jetë mbajtur në fuqi edhe gjatë kohës së pushtimeve të huaja pas 1915 deri në 1919. Si argument për këtë, Haxhi Shkoza thotë se mund të paraqitet buxheti i Prefekturës së Vlorës bërë deri në vitin 1920 nga ish sundimi Italian në të cilin shihen këto shënime: “Taksë dhe e drejtë ankorazhi për barkat dhe velierat e akostuara në kapitenerinë e portit dhe gjirin e Vlorës. Të drejta për vizita shëndetësore të anijeve që akostohen në gjirin e Vlorës”.

Kjo taksë ka funksionuar në portet shqiptare deri në dhjetorin e vitit 1920 kur me një vendim të qeverisë së kohës u ndalua mbledhja e taksave veterinare duke u theksuar se nuk do të mblidhej më as Taksa e Karantinës.

Ndërkohë, pak më vonë taksat veterinare janë ridimensionuar, por nuk u diskutua më për Taksën e Karantinës, duke lënë në fuqi vendimin për mos mbledhjen më të saj. në ligjin për shërbimin veterinar fundit të viteve ’20 theksohej detyrimi për dezinfektimin e kafshëve që vinin nga jashtë dhe për ndërtimin e vendeve të karantinës e dhomave të dezinfektimit për to.

Në ligjin për Organizimin e Shëndetësisë Publike të 16 qershorit të vitit 1927 urdhërohej se në çdo port të vendit funksionojnë zyrat e Shëndetësisë Detare, stacione e roje shëndetësie.

Gjithashtu në vende të posaçme krijohen edhe lazareta d.m.th. stacione shëndetësore për karantina. Qëllimi i tyre ishte të mbronte pasurinë blegtorale të vendit nga sëmundjet ngjitëse. /scan/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme