Të enjten diskutohet për përvetësimin e kulturës rome

1 Prill, 2019 - 7:00 pm

Më 8 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve. Kjo datë shihet si një mundësi për festimin e kulturës rome, por edhe për ngritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve që i shqetësojnë rreth 15 milionë romë në mbarë botën si dhe thekson diskriminimin që ky komuntitet e përjeton në sfera të ndryshme të jetës.

Në Kosovë, kjo shënon njërën nga ditët e rralla gjatë vitit kur politikanët i përmendin apo i adresojnë komunitetin rom që jetojnë në vend. Ligjet progresive, letrat dhe dokumentet prezantohen dhe shpallen si ngjarje të suksesshme të angazhimit institucional.

Por, pamjet e lagjeve rome me foto të varfërisë së skajshme, margjinalizimi dhe dëbimet shoqërore dhe ekonomike, vënë në dyshim sa shumë prej këtyre fjalimeve të mëdha përkthehen në përfshirje, pranim dhe luftim kundër racizmit.

Ende nuk është bërë asgjë për të shënuar luftën për njohjen e kulturës, historisë dhe të drejtave të romëve — thelbi i Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Kultura e pasur, që është njëra ndër veçoritë më të rëndësishme të komunitetit rom, zakonisht reduktohet te muzika që publiku e vlerëson herë pas here.

Në diskutimin më të fundit të Hajde Folim, pyesim: A e ka humbur kuptimin Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë? A po ndodh përvetësimi i kulturës rome në Kosovë? A po e konsumon shoqëria kulturën rome, veçanërisht muzikën, e në të njëjtën kohë po lejon që po ata persona që i takojnë kësaj kulture të trajtohen si qytetarë të klasës së dytë? Si mund t’i mbajmë përgjegjëse institucionet përkatëse për mos adresimin e çështjeve që qytetarët romë i përjetojnë në mënyrë shoqërore, politike dhe ekonomike?

Ky diskutim organizohet me 4 prill, në orën 18:00, në hapësirën e K2.0 për një diskutim të hapur dhe përfshirës. Të ftuar në panel janë:
– Sakibe Jashari – Antropologe/Zyrtare e Programit ROMACTED në Këshillin e Europës
– Habit Hajredini – Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë
– Avni Mustafa – Drejtor i Roma Versitas Kosovo
– Denis Galushi – Gazetar dhe aktivist

Diskutimi do të moderohet nga gazetarja e K2.0 Dafina Halili. Ky edicion i Hajde Folim financohet nga National Endowment for Democracy./ KultPlus.com


Të ngjajshme