Të rritur nga lufta, më të fortë se frika

20 Nëntor, 2018 - 11:03 pm

Kosova ka shënuar fitore me rezultat të thellë 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve.

Mbi 12 mijë e 500 tifozë hijeshuan kryeqytetin dhe më pas stërmbushën stadiumin “Fadil Vokrri” për atë që ishte sfida vendimtare për përfaqësuesen e Kosovës për realizimin e një mundësie historike për kualifikim në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për Ligën D.

Kjo fitore ka gëzuar pa masë kosovarët në gjithë botën.

Starti në këtë takim ishte një fillim i ëndrrave. Por djemtë kosovarë arritën të bëjnë një lojë të mrekullueshme e këtë më së miri e dëshmon rezultati në fund.

“Të rritur nga lufta, më të fortë se frika”, është thënia që sonte po i shoqëron djemtë tanë.

Jo rastësisht thonë që vështirësitë e bëjnë njeriun më të fortë, e djemtë tanë janë rritur mes vështirësive, luftës e varfërisë që e ka udhëhequr vendin tonë, por tashmë ka ardh koha kur të paktën këta djem të gëzojnë zemrat e shqiptarëve e të bëjnë krenarë secilin prej nesh.

Me këtë lojë, përfaqësuesja e Kosovës mbyll kështu kampanjën në Grupin 3 të Ligës D si lidere pa asnjë humbje me katër fitore dhe dy barazime dhe gjithsej 14 pikë.

Me këtë fitore, Kosova përballet në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për Ligën D ndaj Maqedonisë në mars të vitit 2020. Me një fitore ndaj Maqedonisë si mysafir, Kosova do të siguronte një ndeshje finale historike ku me një tjetër fitore do të sigurohej kualifikimi në Kampionatin Evropian, Euro 2020.

Deri atëherë, të shijohet ky sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës, që si përfaqësuesja më e re në Evropë e mbylli vitin 2018 pa asnjë humbje. /KultPlus.com

Të ngjajshme