Televizioni më i madh në Kinë, reportazh për Shqipërinë: Heqja e vizave, shumëfishoi numrin e turistëve

7 Gusht, 2018 - 3:30 pm

Rritja e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri ka tërhequr edhe vëmendjen e televizionit më të madh në Kinë, CGTN, i cili përgatiti një reportazh për Shqipërinë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë një intervistë për këtë televizion, nga ku ka theksuar se Shqipëria po punon për krijimin e një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë.

“Ne jemi duke punuar shumë fort që të krijojmë një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë dhe po promovojmë agroturizmin më shumë se çdo gjë tjetër në vendin tonë”- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në intervistën dhënë për televizionin CGTN.

Më tej, ai vuri në dukje se “Shqipëria po përpiqet të përfitojë nëpërmjet trashëgimisë së saj kulturore dhe kuzhinës për të tërhequr turistë. Nën rrugët e Tiranës, në qendër të qytetit është një labirint i bunkerëve nëntokësorë që tani është e hapur për turistët”- thekson televizioni kinez.

Televizioni kinez rendit gjithashtu atraksionet më të mëdha turistike në vendin tonë. Vendi i parë më i vizituar nga turistët kineze është Bunk’art, muzeu i komunizmit në Shqipëri kjo për shkak edhe të lidhjeve historike.

Qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave turistët nga Kina për periudhën 1 prill deri në 31 tetor 2018. Heqja e vizave me Kinën për 8 muaj në vit nga qeveria shqiptare ka dhënë rezultatet e para. Numri i turistëve nga Kina drejt Shqipërisë është shumëfishuar krahasuar me një vit më parë. Falë heqjes së vizave, Kina u rendit me shpejtësi në 5 vendet me më shumë vizitorë në Shqipëri./ata

Të ngjajshme