‘Tërë natën ka vazhduar dhunimi i grave dhe vajzave’

5 Janar, 2019 - 9:00 am

Mehmet Mazrekajt i dridhen duart në prehër derisa kujton një natë marsi të vitit 1999 kur vdekja erdhi në fshatin Beleg të Deçanit, në perëndim të Kosovës.

Arsimtari 74 vjeçar në pension, kujton se si forcat serbe i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, pastaj e lidhën dhe e lanë të dëgjojë parreshtur britmat e grave dhe vajzave derisa po dhunoheshin në një stallë bagëtish natën midis 28 dhe 29 marsit 1999. Ai tregon si u largua të nesërmen në mëngjes me një kolonë civilësh për në Shqipëri, dhe për ata që mbetën pas.

“Tërë natën ka vazhduar dhunimi i grave dhe vajzave. Shumica ishin nxënëse të mia në gjimnaz”, tregon Mehmeti për BIRN në shtëpinë e tij në Drenoc të Deçanit. “Pas mbetën 70 burra. Shumica e tyre nuk u gjetën kurrë”.

Në mesin e tyre janë tre familjarë të tij.

Brenda gati dy dekadave, Mazrekaj ka dëshmuar tri herë në gjykatë për masakrën e Belegut, së pari kundër Sllobodan Millosheviqit, si dhe në atë kohë shefave politikë, ushtarakë dhe policorë të tij që udhëhoqën një luftë brutale për të shkatërruar ngritjen e guerilës shqiptare të Kosovës.

Më shumë se 4,600 persona kanë dëshmuar në Tribunalin e OKB-së për krime në ish Jugosllavi në gjykimet kundër të akuzuarve për planifikim, kryerje të vrasjeve masive, persekutim dhe dëbim, në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, gjatë shpërbërjes së federatës socialiste në vitet 90-ta. 

Për disa, të dëshmuarit ishte pak lehtësuese, një mundësi për të treguar historitë e tyre dhe të shohin kriminelët të dënuar. Por për të tjerët si Mazrekaj, fantazma e luftës nuk është mundur, sepse ajo çka përjetuan i la më shumë të traumatizuar, të mllefosur dhe të pakënaqur.

Në ditën kur Mazrekaj dëshmoi, Millosheviqi ishte i sëmurë dhe nuk ishte prezent në sallë të gjykatës. “Unë dëshmova. Por do të doja ta shihja në sy”, thotë ai. Kur Milosheviqi vdiq në dhomën e tij në Hagë në vitin 2006 para se të jepej verdikti i gjykatës për të, Mazrekaj ndjeu “sikur ai fitoi”.

“Mu kujtuan viktimat, ata që ai i vrarë pa ndonjë dënim. Mu duk një kasap me fat”, thotë ai.

Në vitin 2007 Mazrekaj dëshmoi sërish për tmerrin e asaj nate (marsit 1999) në Beleg kundër vartësve politikë dhe ushtarakë të Millosheviqit që drejtuan fushatën në Kosovë. Të gjithë ata u dënuan, por Mazrekaj mbeti i zhgënjyer.

“Nuk do ta quaja drejtësi” , thotë ai. “ Jo aspak”.

Mazrekajn vazhdon ta mundojë fakti që ai kurrë nuk mundi të thoshte në tribunal tërë atë që ai e di për atë natë, duke shmangur dëshminë për dhunimet nga frika e stigmës që do të mund të përballeshin viktimat dhe prindërit e tyre në mjedisin shpesh konservativ të shoqërisë kosovare.

“Isha nën presion të madh të viktimave që nuk donin të zbuloheshin”, thotë ai. “Isha në mes dy të zjarreve”.

(Marrë nga Balkan Insight)

Të ngjajshme