Testamenti intim i Brigitte Bardot: Kurrë nuk jam ndier e bukur

19 Mars, 2018 - 11:45 pm

“Pa kafshët do të kisha vrarë veten”, – rrëfen aktorja franceze Brigitte Bardot në “Larmes de combat”. Në moshën 83 vjeçare, pasi ka qenë ylli i kinemasë franceze dhe një ikonë e sex-appeal, rrëfen se për shkak të zhgënjimit të shkaktuar nga mizoria e njerëzve disa herë e kanë çuar në ekstreme të psikikës së vet. Pas kësaj përvoje thotë se nuk do të shkruajë. Ky libër përmban 255 faqe që sapo ka dalë në Francë dhe në fakt është një testament intim i aktores. Ja disa pasazhe:

E famshme. “U konsiderova si një nga yjet më të mëdha botërore e megjithatë nuk jam asgjë. Gjithmonë e kam patur këtë qartësi mendimesh….Ëndrra ime është të kthehem në anonimitet. Ndihem e burgosura e vetes. Është e sigurt se shumica e njerëzve kanë pushuar së përkituri vetes”

Bukuria. “ Kurrë nuk u ndjeva e bukur. Veç kohët e fundit kam filluar ta kuptoj atë bukuri që i dha origjinë suksesit tim. Kjo vjen nga aparati i dhëmbëve që m’u desh ta duroj gjatë gjithë fëmijërisë sime që kombinonte me syzet e mëdha dhe me krehjen e flokëve të tmerrshme. Kisha kaq shumë neveri nga fiziku im, saqë në moshën 10-11 vjeç vendosa ta pranoj shëmtinë time. Mund t’ju duket e habitshme, por nuk kam besim tek vetja. Gjithçka më terrorizon. Kur hyj në kontakt me botën e jashtme kam frikë se nuk do të kuptohem, që nuk do të trasmetoj mesazhin që dëshiroj”.

Popullariteti. “Braktisa kinemanë, nuk mundesha dot më. Është shumë e vështirë të durosh anën tjetër të medaljes. Një frazë e Mme Germaine de Staël përmbledh shumë mirë ankthin që lind nga të qënit i famshëm. “Lavdia është dueli i shkëlqyer i lumturisë.” Jam e bindur se të qënit i famshëm të shkatërron. Mjafton të shohësh fatet e Marilyn Monroe-s, Rommy Schneider-it ose Marlene Dietrich. Pjesa më e madhe e aktoreve patën një fat tragjik. Popullariteti është helmi që më ndaloi të jetoja jetën time. Kur e lashë punën u ndjeva e shpëtuar. Përkushtimi ndaj kafshëve më nxorri nga kthetrat e një fati tragjik.”

Mëmësia. “Kur lindi djali im kisha qindra fotografë në shtëpi. Sulmi mediatik që kam pësuar në ato momente ishte origjina e një traume të pakorrigjueshme. Ishte Nikolasi ai që pagoi pasojat. Nuk munda të përballem me atë shtatzani, sepse isha shumë e re, pa përvojë, shumë aktive, tejet e njohur dhe e paqëndrueshme. Mos forconi kurrë një grua të ketë një fëmijë. Ky moment duhet të jetë një çast lumturie. Gjatë fëmijërisë së Nikolasit marrëdhëniet tona ishin të dhimbshme për të dy dhe më pas u qetësuan. Tani jeton në Norvegji dhe më viziton një herë në vit vetëm ose me familjen. Nuk mban mëri, pavarsisht se ka vuajtur. Nuk e di nëse ka kuptuar ndonjë gjë nga unë, nga historia jonë e përbashkët. Kurrë nuk kemi folur për fëmijërinë e tij. Kurrë. Nga ana tjetër kam një marrëdhënie të shkëlqyer me mbesën time, Tea. Interesohet shumë për jetën time dhe për të kaluarën. Instikti maternal mësohet me kalimin e kohës dhe në një jetë të qetë.”

Dashuritë. “Ethet e dashurisë kontrollojnë jetën time dhe ndjenjat e mia. Dashuria nuk shërben asgjë, nëse nuk është pasionante. Kjo është arsyeja që shpesh nuk kam qenë besnike. Në çdo marrëdhënie, kur e tashmja ishte pak e ngrohtë, filloja e kërkoja dashuri të tjera. Gjithmonë kam kërkuar pasionin. E desha me forcë Sami dhe me të njëjtën forcë Jean-Louis Trintignant dhe për këtë arsye nuk mund të mbaja më pas marrëdhënie miqësore me ta. E dija që Bernard d’Ormale do të ishte burri im i fundit, më joshi me personalitetin, inteligjencën dhe eruditizmin e tij. Sot pas 25 vitesh martesë kur largohet edhe për ndonjë ditë çmendem kur jam pa të. Është i vetmi që vendosi një dallim midis Brigitte-ës dhe Bardosë dhe kjo më jep një qetësi të vonuar, por të sigurt.”

Raca njerëzore. “Nuk bëj pjesë në të dhe nuk dua ta integroj. Ndihem ndryshe, pothuaj anormale. Përderisa kafsha konsiderohet si një specie inferiore, vazhdojmë të vrasim për nevojat tona, për kënaqësi dhe nuk jam pjesë e kësaj race gjaksore.”

Kafshët. “Kafshët më shpëtuan, sepse ajo që më lidh me ta është dashuria e pastër. Kalova periudhën më të errët të jetës falë atyre. Qëndruan me mua kur isha e vetmuar, sëmurë dhe në depresion. U diagnostikova me kancer të gjirit dhe kafshët kurrë nuk e morën vesh, sepse nuk dhashë kurrë shenja dobësie.”

Lotë që nuk shihen. “Kurrë nuk kam qarë, të paktën në publik. E mohoj. Do të ishte një shenjë dobësie. Nuk më pëlqen të ndaj dhimbjet e mia më të thella, madje as bashkëshortit tim. Megjithatë në fshehtësi mund të shfryhem, qaj për atë që s’duhet të ndodhë, për mizorinë, shkatërrimin dhe padrejtësinë, qaj për të dobëtit, për njerëzit e kafshët.”

Feja. “Kurrë nuk jam ndiher rehat me idenë e fesë. Preferoj një shpirt të lirë, një marrëdhënie direkt me qiellin. Më pëlqejnë vendet religjoze dhe të bukura. Është shpirti që më gjallëron. Të tjerat, ligjet, këshillat, rrëfimet nuk më interesojnë.”
Pleqëria. “Gjithmonë kam jetuar me idenë se është e pashmangshme humbja e asaj që kemi. Rinia ime, bukuria, freskia nuk kanë qenë përjashtim i këtij rregulli. Nuk më ka mbetur ndonjë gjë nga rinia, përveç shpirtit, shpirtit tim vajzëror që mrekullohet pas gjërave më të pakuptimta. Gjithçka më dëfren, jam naive dhe më mashtrojnë shpesh. Ideja e vdekjes më terrorizon. Nuk jam e sigurt, nëse mund të gjej ndonjë të njohur përtej. Edhe pas vdekjes më duket e frikshme. Ajo çfarë i ndodh trupit është e pistë, diegia nuk është një zgjidhje, sepse kam frikë nga zjarri dhe nga ideja e të djegurit. Më duket e largët ideja se do kthehem në tokë. Nuk e di, nëse ekziston jetë pas vdekjes dhe nuk kam ndonjë shpresë për këtë. Çfarë na pret nga ana tjetër? Do të preferoja të flija, për gjithmonë.”

Kujtime të një gruaje. “Lotë lufte” është vepra e fundit e BB, është libri i 7-të i kujtimeve të saj. / Përgatiti: bota.al

Të ngjajshme