“TheNational”: Udhëtim i mrekullueshëm në Bjeshkët e Namuna

27 Maj, 2018 - 3:30 pm

Majat e Ballkanit janë një rrugë e gjatë epike, që kalon nëpërmjet kufijëve malorë të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Me një distancë prej më shumë se 192 kilometrash ajo gjarpëron përgjatë luginave dhe shtigjeve të larta, duke shfaqur disa prej peizazheve më të mrekullueshëm që ofron ky cep i ashpër dhe i bukur i Europës.

Shtegu është hapur nga Agjencia Gjermane për Zhvillim (GIZ) në bashkëpunim me zyrat lokale turistike dhe klubet e ecjeve në mal. Ideja është që të inkurajohet një turizëm i vazhdueshëm në këtë rajon malor (që njihet si Bjeshkët e Namuna) dhe ndihmon që të krijohen të ardhura për popullsinë lokale. Në një numër të vogël vitesh, që nga krijimi i tij, ky shteg ka pasur një rritje të ndjeshme në udhëtarë dhe shumë fshatra kanë hapur bujtina përgjatë rrugës.

Kjo rrugë ka shumë hyrje dalje në kufijtë mes këtyre tre vendeve dhe ju nevojitet një leje për të ecur në këtë shteg. Por kjo është e lehtë sepse agjencitë lokale do të merren me dokumentacionin për ju, në këmbim të një pagese të vogël.

Bjeshkët e Namuna i vizitova për herë të parë 15 vite më parë, duke qendruar në një shtëpizë dhe duke bërë ecje në luginën Grbaja, e rrethuar nga maja befasuese dhe të thepisura me emra emocionues si Dhëmb dhe Shtiza. Një ditë u ngjita në luginën fqinje Ropojana, një rrip i gjatë dhe i gjerë plot gjelbërim që shkon deri në kufij me Shqipërinë.

Moti u vrenjt, majat përreth u mbuluan nga retë. Por ende vazhdonte të ishte një vend thellësisht i bukur. Mjegulla mbuloi luginën dhe të vetmit persona që takuam atë ditë ishin disa fëmijë shqiptarë që po mblidhnin manaferra të egra, të qeshurat e tyre dhe fytyrat e njollosura me ngjyrë të kuqe.

Në krye të luginës Ropojana ka një liqen, ose të paktën ishte gjatë asaj vizite të parë, mbushet vetëm nga dëbora e shkrirë dhe sikurse u konfirmua nga një vizitë e mëpasme, shpesh herë zhduket, si një fantazëm, nën tokë. Sidoqoftë, nga ana tjetër ky liqen gri dhe i ftohtë, është i mbuluar me bar të dendur dhe të gjelbërt, sipas stinës dhe ndan kufirin me Shqipërinë.

Dikur kjo luginë ishte një rrugë tregtare mes fshatit të Thethit në Shqipëri dhe Plavës në atë që është Mali i Zi i sotëm. Tani është shumë e lehtë të vish këtu, por në fillim të shekullit të XIX, në skajet e shkatërruara të Perandorisë Osmane, kjo ishte një zonë jashtëzakonisht e largët dhe e vështirë për t’u arritur. Udhëtarja angleze guximtare, Edith Durham duhej të udhëtonte e maskuar kur kaloi këtu në fillim të viteve 1 900 dhe e përshkroi këtë zonë si shumë të vështirë për t’u arritur.

Gjatë ngjitjes së Luginës Ropojana vitin e kaluar, kur po bëja kërkime për të bërë një udhërrëfyes për në Majat e Ballkanit, koha nuk ishte më pak e zymtë. Hyra në Shqipëri nën një pëlhurë mjegulle, duke ecur nëpër një pyll deri sa arrita tek kullotat në Fushën e Ruinicës, ku dy kasolle të thjeshta që përdoreshin nga barinjtë gjatë muajve të verës qëndronin pranë një burimi.

Gjatë rrugës nëpër male kalova disa prej gjysmë milionë, pak a shumë, bunkereve të ndërtuara nga ish-lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha mes viteve 1960-1980. Tani ato janë duke u bërë pjesë e peizazhit, prerjet e vogla të gropave të tyre që shohin mbi luginë duken si sy boshë.

Më lartë kalova pranë një liqeni të thellë të rrethuar nga gurë të mëdhenj sa një shtëpi dhe më pas dola në Shtegun e Pejës, që bie mbi Luginën e Thethit. Rruga për të zbritur kalon në anë të një humnere të thepisur, pjesa veriore e majës që ndodhet në të djathtë, Maja Harapit, që ka një lartësi prej 800 metrash. Diku, pranë kësaj maje ndodhet hyrja në sistemin më të madh të shpellave në Shqipëri, që kanë një shtrirje prej dy kilometra e gjysme nën mal. Pasi mbërrij poshtë në luginë eca në një rrugë për automjete 4×4 përmes kullotave dhe herët në mëngjes eca përgjatë femrave të mbushura me pemë frutore për të mbërritur tek Bujtina Polia, një bujtinë e ngrohtë dhe mikpritëse në fshatin e Thethit.

Mëngjesin tjetër eca poshtë luginës për tek ujavara e Gunës, një ecje e lehtë prej 45 minutash. Familje të ndryshme po zhvillojnë piknik në gurët, pas një pellgu jeshile zmerladi, me ujëvarën që bie nga një lartësi prej 30 metrash.

Më pas nga Thethi vazhdova përgjat Majave të Ballkanit, duke udhëtuar nëpër pyje dhe duke u ngjitur për në Shtegun e Valbonës, që ndan luginën e Valbonës me Thethin. Dielli ngrihet në mes të murit të madh me gurë që është Maja e Boshit, pyjeve të gjelbra që mbulojnë anët e Luginës së Valbonës dhe në veri ndodhet Maja e Jezercës, në formë piramide, që arrin 2 694 metra dhe është mali më i lartë në Bjeshkët e Namuna, që rrethohet nga një aureolë me re.

Që kur rruga për në Majat e Ballkanit u hap, ka pasur shumë ndryshime të rrugës në terren, që ende nuk janë paraqitur në hartën zyrtare.

Njëra është rruga midis Valbonës dhe Ceremit, që “zyrtarisht” shkon përgjatë një rruge të asfaltuar për disa kilometra, pastaj rruga përkeqësohet dhe e bën edhe më të vështirë ecjen në zonat malore. Megjithatë, çdo udhërrëfyes vendor mund t’ju tregojë se rruga më e mirë për ecje në këmbë nga Valbona në Ceremi është mbi Qafën e Prosllopit, në kreshtën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Unë u nisa herët në mëngjes, rruga ishte mjaft e qartë dhe të çonte drejt bujtinës mikpritëse në Valbonë, ku edhe kalova natën. Rruga në ngjitje përshkohej nga kullota dhe një kasolle e vjetër për barinj, pastaj të çonte nëpër pyje dhe livadhe të mbuluara me lule të egra dhe flutura të vogla blu. U deshën rreth katër orë për të arritur në Qafën e Prosllopit, një parzmore me bar e rrethuar me shkëmbinj gëlqerorë.

“Kjo nuk është një ditë e përshtatshme për të ngjitur Majën Kolata (mali më i lartë i Malit të Zi), rreth 500 metra në të djathtë, barometri në orën time tregon se do të afrohet një stuhi dhe unë duhet të largohem shpejt nga kjo zonë e lartë.”

Pasi u ndala për pak çaste, për të ngrënë kastravecë të shijshëm, djathë të bardhë deleje dhe një fetë të madhe bukë fshati, u ktheva në Mal të Zi, pastaj u ngjita sërish në Qafën e Borit dhe përsëri zbrita në Shqipëri.

Më në fund mbërrita në mbrëmje vonë në shtëpinë mikpritëse të Kujtim Gocaj në Ceremi, një fshat i vogël në krye të luginës, ku u mirëprita ngrohtë, shijova një darkë jashtëzakonisht të mirë dhe një çaj të nxehtë që shërbehej me gota në formë tulipani.

Majat e Ballkanit janë një rrugë e mrekullueshme përmes peizazhit të mahnitshëm dhe maleve pak të njohur , që ende tërheqin vetëm një pjesë të vogël të udhëtarëve të apasionuar pas zonave malore të Europës.

Është një mundësi për të përjetuar mikpritjen e vërtetë rurale që shoqërohet nga një ndjenjë e rrallë që nuk mund të haset shpesh këto ditë në Europë. /ata

Të ngjajshme