Thesarët historikë të Vlorës, tre muzeume për të mos u humbur

30 Korrik, 2018 - 10:30 am

Turistët që vizitojnë Vlorën kanë aq shumë në ofertën e qytetit bregdetar, sa nuk do t’u mjaftonte koha e pushimeve të tyre. Deti, natyra e mrekullueshme, vendet e veçuara e të paprekura që duhen soditur, por edhe historia dhe kultura e këtij qyteti me rëndësi të veçantë në historinë e vendit, përbëjnë një pasuri të madhe që duhet programuar për t’u shijuar.

Kështu, pas një dite në plazhet e Vlorës, pasditja mund të jetë një moment i mirë për t’ia kushtuar muzeumeve.

Në qytetin e Vlorës ndodhen dhe funksionojnë 3 muzeume. Secili prej tyre përfaqëson vlera, problematikë dhe periudha të caktuara në historinë e rrethit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik) dhe Muzeu Etnografik, janë të vendosur në tre godina në pozicione të ndryshme në qytet. Madje, secila prej këtyre godinave përfaqëson dhe mbart në vetvete vlera të caktuara historike e arkitektonike.

Viti pas viti, numri i turistëve, veçanërisht atyre nga Kosova ka njohur rritje në vizitat e regjistruara në këto muzeume, veçanërisht në atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku gjenden pjesë të rëndësishme të historisë së kombit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare

Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.

Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.

Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.

Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik)

Ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962.

Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias (Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të veçanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924.

Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njerën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe një pjesë xhami.

Muzeu Etnografik

Është vendosur në një nga godinat më të vjetra të qytetit, që është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Kjo godinë është shpallur monument kulture. Muzeu është mjaft i pëlqyeshëm për vizitorët dhe në të pasqyrohen të veçantat e traditave të rrethit të Vlorës. Mes tyre, përfshihen traditat më të mira të kulturës materiale, të punuara nga banorë të rrethit të Vlorës, ku vecojnë ato të punimit të metaleve, drurit, veshjeve dhe qëndisjes, peshkimit. Në godinën ku është vendosur Muzeu Etnografik, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria” me president nderi Ismail Qemal Vlorën. Po ashtu, në vitin 1909 këtu u çel shkolla e parë në gjuhën shqipe për vashat e qytetit, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio.

Të ngjajshme