Thesari i humbur i Turqisë gjendet në Librazhd

30 Dhjetor, 2017 - 2:15 pm

Nga Daniel Muçaku

Me sa duket nuk thonë kot që Shqipëria është një minierë e vogël ari, pasi kohët e fundit diçka e pabesueshme është zbuluar në vendin tonë. Xhyra Kasaba, është një fshat, ndoshta shumë i njohur, i cili ka 99 minare, por që mbi të gjitha fsheh thesare të panumërta.

Me fshatin e Xhyrës janë lidhur shumë gojëdhëna dhe histori të ndryshme aq kulturore, por edhe misterioze që askush deri më sot nuk ja ka gjetur kuptimin. Ai ndodhet në pjesën jugperëndimore të rrethit të Librazhdit, pranë rrugës kombëtare që lidh Shqipërinë me shtete të tjera me Greqinë, Maqedoninë, si dhe me qytetet e vendit tonë.

A e dini se guri i “Bletës” një shkëmb me lartësi 1409m ka nxitur zbulues nga e gjithë bota kryesisht turq, maqedonas, edhe grek, por edhe nga “Puglia Grotte” dhe “Dauno”.

A fsheh me të vërtetë ky shkëmb një pasuri të madhe?
Mendohet se pikërisht në këtë gur fshiheshin grabitjet që kaçakët (hajdutet) bënin karvanëve të ushtrisë turke dhe tregtarëve nga Roma.

Jo më larg së disa muaj një turist nga Turqia eksploronte bashkë me grupin e tij e shoqëruar më një hartë shumëvjeçare e cila tregonte me hollësi se ku fshihej thesari i turqve. Kushtet litologjike siç dukej ua kishte vështirësuar kërkimet.
Banorët e fshatit tregojnë se shumë kërkime janë bërë, aq shumë saqë detyruan që emigrantët të ktheshin kudo që ishin edhe të gërmonin për ta gjetur diçka përpara se ta gjenin te turistët e huaj.

Ja si shprehet një banor i fshatit Xhyrë A. M:“Nuk e mbaj mend sa veta kanë ardhur e kanë hapur gropa pafund me qëllimin se ka flori apo gjëra të tjera si këto. Në fakt vetë nga legjenda e gurit të bletës, mjalti i shumtë i bletëve simbolizon floririn, ndërsa bletët punëtore – hajdutët të cilët vidhnin floririn e ushtrisë Osmane. Mendoj se është vetëm një legjendë, por herë pas herë mendoj se mund të jetë edhe e vërtetë.

Jo më larg se disa muajsh një grup turistësh nga gjuha që flisnin mendoj se ishin turq, kishin një hartë të vjetër e cila në të kishte të vizatuar shkëmbinjtë edhe vetëm një shkëmb ishte më kryq, vetëm guri i “Bletës”.

Njerëzit janë të çuditshëm në këtë fshat saqë marrin kazma edhe lopata edhe gërmojnë pa lidhje, duke prishur në shumicën e rasteve edhe rrugën “Egnatia” e cila kalon mes për mes fshatit”.
Po kush është me të vërtetë legjenda e gurit të “Bletës” e cila ka bërë bujë në të gjithë Shqipërinë?
Sipas legjendës thuhet se: “Dikur një djalë i ri nga fshati shkon tek guri i “Bletës” për të marrë mjaltë. Aty kishte shumë bletë dhe mjalti ishte në sasi të madhe. I riu futet brenda në gur dhe fillon të mbushë enët me mjaltë. Guri i thotë djalit se duhet të marrësh mjaltë vetëm aq sa të takon. Por ai nuk e dëgjon duke vazhduar të marrë mjaltë pa u ndalur. Atëherë guri mbyllet duke e zënë brenda. Djali fillon e rënkon. Zëri i tij dëgjohet dhe njerëz nga fshati i shkojnë në ndihmë për ta nxjerrë nga guri. Ata përdorin mjete të ndryshme si pyka prej thane për të hapur gurin, por pa mundur ta nxjerrin dot.

Pykat e thanës ( katër copë) gjenden edhe sot e kësaj dite në mesin e gurit. Pikërisht në atë vend guri është i lagur për shkak të lotëve të njeriut brenda tij. Madje edhe sot thuhet se? sa herë që bie shi, po të qëndrosh afër gurit në heshtje dhe të dëgjosh me kujdes, do të ndiesh zërin e të riut që vjen nga brenda duke rënkuar”./ KultPlus.com

Të ngjajshme