Trend në rritje i turizmit kulturor në Durrës

7 Janar, 2023 - 9:30 am

Trendi në rritje i turizmit kulturor në Durrës, gjë që verifikohet nga statistikat e vizitorëve, ka shtuar edhe përpjekjet e institucioneve për t’iu përgjigjur interesimit dhe për të përmirësuar ofertën.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ndodhet tashmë në proces transformimi, që do të sjellë muze krejt të ri, në gjendje të presë dhe të përmbushë më mirë kërkesat në rritje të vizitorëve të tij të shumtë.

Gjatë vitit 2022, në mjediset e këtij muzeu dhe të Amfiteatrit të lashtë të Durrësit, Qendra Muzeore e Durrësit organizoi, në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm të komunitetit, një numër të konsiderueshëm aktivitetesh kulturore apo të edukimit informal. Mes tyre renditen 9 ekspozita të ndryshme, 14 koncerte, 6 mbrëmje artistike, 4 aktivitete promovimi e prezantimi, 4 pjesë teatrale si dhe 19 aktivitete të edukimit informal me të rinjtë e fëmijët.

Më herët, Qendra Muzeore Durrës publikoi të dhënat që flasin për trendin e turizmit kulturor në qytetin e Durrësit përgjatë 2 viteve të fundit. Sipas tyre, Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri Antik, gjatë periudhës 1 janar-31 dhjetor 2021 janë vizituar nga 13003 vizitorë ndërsa për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2022, janë regjistruar 28081 vizitorë, pra mund të flitet për një dyfishim të turistëve të interesuar për antikitetin e Durrësit./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme