Tri motrat nga Australia, kërkojnë rrënjët në Shqipëri

14 Tetor, 2018 - 6:30 pm

Giovana Motton, Francesca Mills dhe Yvonne Duckitt janë tri motra, të cilat udhëtuan nga Australia për të gjetur rrënjët dhe të afërmit e babait të tyre, në Shqipëri.

Vesel Çereneci u largua nga Elbasani para Çlirimit dhe nuk mundi të kthehej më. Ai u martua me një grua italiane, me të cilën pati 4 fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Veseli u nda nga jeta shumë i ri, por vajzat e tij, tashmë zonja të moshuara erdhën në Elbasan për të kërkuar të afërmit e tyre.

“Ne jemi nga Australia dhe kemi ardhur të gjejmë të afërmit nga babai jonë. Ai lindi në Shqipëri, emigroi në Itali, në 1940 dhe në 1946-ën ai u martua me një zonjë të bukur italiane, nënën tonë. Ne gjithmonë e kemi ditur nga vinte babai ynë, çfarë bënte, por ne kurrë nuk kishim njohur të afërmit tanë”, tregon Giovanna.

Vendimin për të ardhur në Shqipëri tre motrat e morën së bashku, sepse diçka mungonte në të kaluarën e tyre dhe jeta pa të nuk do ishte e plotë. Ndërsa Shqipëria ishte dashuri me shikim të parë.

“Ohh e dua Shqipërinë. Mezi pres të kthehem në Australi, t’u tregoj miqve për Shqipërinë. Po përpiqem të gjej fjalët për ta përshkruar. Është e vjetër, e re, interesante, shumë e bukur, është numri një”, thotë Francesca.

“Shpresoj të rikthehem. Do të doja të vija sërish dhe të kaloja më shumë kohë në Shqipëri dhe mbi të gjitha të qëndrojmë në kontakt me të afërmit tanë që tani i kemi këtu, dhe janë plot”, shprehet Giovanna.

Tre motrat do të shkojnë edhe ne Dibër, për të gjetur certifikatën e lindjes së babait të tyre, një dokument që për to ka shumë rëndësi.

“Certifikata e tij do të ishte diçka me të cilën ne të vazhdojmë përpara, do mësojmë për prindërit e tij, sepse nuk dimë asgjë për ta. Dhe ajo letër është trashëgimi për ne dhe fëmijët tanë”, tha Yvonne.

Me po të njëjtën dëshirë ,edhe pjesa tjetër e familjes prej kohësh kërkonte një shenjë nga familjari i tyre Vesel Çereneci, dhe fati deshi që të paktën fëmijët të takohen.

Të ngjajshme