Turistët francezë kalojnë fundjavën në Divjakë (FOTO)

12 Qershor, 2018 - 1:30 pm

Fundjavat e kanë kthyer Parkun Kombëtar të Divjakës në një vend shlodhjeje dhe vëzhgimi për vizitorët vendas dhe të huaj.

Këtë fundjavë, ky park u vizitua nga një grup turistësh që vinin nga Norvegjia dhe Franca. Administratorët e parkut konfirmojnë se janë të shumtë ata që vijnë këtu në fundjavë nga vendet europiane dhe vëzhgojnë natyrën e egër.

Tashmë, jemi në fillim-verën e këtij viti dhe flora që mbulon këtë park është harlisur në bukurinë e saj të gjelbër. Peizazhi bëhet shumë piktoresk dhe tërheqës.

Shpendët ujorë janë gjallëruar dhe tërheqin vizitorët kuriozë. Flamingot japin shfaqjet e tyre mëngjesore dhe në mbrëmje trazojnë lagunën.

Turistë të shumtë vijnë në këtë park dhe vëzhgojnë nga afër lëvizjen e tyre dhe të shpendëve të tjer ujorë. Këtë fundjavë ata mbërritën nga Norvegjia e largët dhe Franca për të vëzhguar nga afër gjallesat e lagunës së Karavastasë.

Stafi drejtues i parkut i priti dhe i shoqëroi me njohës të natyrës, historisë së zonës si dhe me biologë kompetentë që u folën për faunën dhe florën që gjendet në këtë park, duke e komentuar atë në disa gjuhë për turistët e shumtë që erdhën këtë fundjavë. Në park janë hapur shtigje te reja për lëvizjen turistike si dhe janë ngritur qendra vëzhgimi të shpendëve. Një tjetër investim është dhe stacioni i varkave që shëtisin turistët në lagunën ujore.

Një prej këtyre investimeve që pritet të ofrojë argëtim, krahas plazhit të bukur dhe natyrës përrallorë të Divjakës, është edhe kulla e vrojtimit e ndërtuar në park, e cila të lejon të shikosh mbi pishat e larta të parkut.

Divjaka është e bukur në të kater stinët./ KultPlus.com

Të ngjajshme