30 Prill, 2025 - 2:57 pm
Numri i turistëve që zgjedhin të vizitojnë qytetin e Beratit është gjithnjë në rritje. Ata shprehen të mrekulluar me natyrën dhe objektet e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli opinionet e dy turistëve, Sabina dhe Sindra, që janë mahnitur nga trashëgimia e Muzeut “Onufri” dhe ikonat shekullore që rrëfejnë historinë shqiptare.
Sabina dhe Sindra janë dy turistë suedezë, të ardhur nga Stokholmi, që kanë vizituar Beratin për disa ditë.
“Ishte shumë bukur t’i shihja ikonat fetare nga aq afër, këto punime origjinale. Ua rekomandojmë të gjithëve të vizitojnë Beratin dhe Muzeun”, thotë Sindra në videon e postuar në rrjetet sociale.
Koleksioni i Muzeut “Onufri” përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike të cilat tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit./ KultPlus.com