‘Tyrbja e Çikave’, gjashtë motra me anë të punës artistike nga Lola Sylaj

30 Janar, 2020 - 1:50 pm

Arbër Selmani

Legjenda thotë se ishte e mërkurë kur gjashtë çika po i lanin petkat e tyre. Motrat luftuan me austro-hungarezët, 400 vite më parë, e vite më vonë thuhet se në shtëpinë e tyre u gjet një thikë.

Sot, kjo hapësirë në Gjakova quhet Tyrbja e Çikave. Çikat ende dalin në ëndërrat e njerëzve që jetojnë rreth tyrbes, një vendi të qetë e të relaksuar që vite më parë u bë fole flijimi.

Mbrëmë, në Prishtinë, Lola Sylaj dhe Donjeta Murati e prezantuan hulumtimin e tyre rreth kësaj tyrbe. Me anë të një dokumentari, dyshja ka sjellë këtë tyrbe, situatën që atë e bëri të famshme në Kosovë. Gjashtë çika në dokumentar i lajnë petkat, të nervozuara, të gatshme për ta luftuar armikun me po këtë thikë që më vonë u gjet rreth shtëpisë-tyrbe.

Tetë muaj i janë dashur Lolës dhe ekipit të saj ta finalizojnë dokumentarin 10 minutësh për Tyrben e Çikave, një histori sa interesante aq edhe e mishëruar për heroizmin e çikave para 400 vjetve.

“Është interesant se në shumë shkrime të gazetave dhe kudo ku përmendet kjo Tyrbe, nuk dihen emrat e këtyre çikave. Njëjtë është interesant edhe fakti se kjo Tyrbe sot quhet Tyrbe e Çikave dhe jo e meshkujve apo burrave, si një pjesë e madhe e Tyrbeve në Kosovë. Edhepse aty në atë shtëpi, në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka pasur edhe dy meshkuj, sot historia më shumë lidhet me çikat, të cilat kanë zgjedhur këtë formë të luftës” tregon Donjeta Murati.

Lola Sylaj, artiste, tregon se kjo histori e ka thumbuar për të realizuar një punë artistike e cila bazohet në një histori si kjo.

Një ditë, ushtarët austriakë hynë në oborrin e tyre dhe papritmas u ndeshën me rezistencën e gjashtë motrave, që rastësisht lanin rroba në oborr. Ushtarët, të tërhequr nga bukuria përrallore e vajzave motra, vrapuan për t’i kapur ato që t’i merrnin me vete apo t’i dhunonin. Vajzat luftuan duke i gjuajtur ushtarët me ujë valë.

Në ndihmë u erdhi edhe babai i tyre, Mehmet Efendiu. Vajzat i mbytën disa ushtarë, por ata ishin shumë dhe vajzat, në pamundësi për të shpëtuar, u vetëmbytën.

Por, disa të dhëna thonë se ushtarët austriakë, në pamundësi për t’i kapur vajzat, i vranë ato e edhe babanë e tyre. I varrosën në oborrin e shtëpisë ku gjendën edhe sot varret e tyre.

Që nga ajo kohë, asgjë nuk ka ndryshuar në atë vend, as pamja, as pemët, andaj gjithçka mbeti nën ndikimin e natyrës, shkruan KultPlus.

“Tyrbja është aty dhe njerëzit rreth saj e dijnë historinë por edhe shpesh flasin për të. Dokumentari është i ndarë në disa pjesë, unë kam dashur që aty mos të paraqes luftë por më shumë ndjenjën e çikave duke larë petka dhe duke gjetur thikën e austro-hungarezëve” tregoi Lola Sylaj në një diskutim që pasoi pasi dokumentari u dha dy herë, shkaku i interesimit të madh. / KultPlus.com

Të ngjajshme