U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për pullën postare të Kosovës dedikuar Nënës Terezë në Itali (FOTO)

1 Tetor, 2017 - 2:48 pm

Danillo Bogoni, drejtor dhe ekspert i Fialtelisë së Italisë, pati njoftuar zyrtarisht se pullës postare dedikuar Nënës Terezë i është ndarë çmimi i parë, shkruan KultPlus. Kësisoj pas pak ditësh u bë edhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi që është bërë enkas për të.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha bashkë me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, ku shpalosën këtë ngjarje edhe përmes fotografive.

“Ndihem krenar me pritjen dhe falënderimet nga personalitete të shquara ndërkombëtare në këtë ngjarje të paharrueshme. Në shenjë mirënjohjeje, presidentit të organizatës i dhurova pullën postare të punuar në pllakë bronzi. Ky është çmimi i dytë ndërkombëtar për pullat tona postare gjatë këtij viti”, ka shkruar Hoxha në rrjetin e tij social Facebook.

Pulla postare paraqet në pamje të parë imazhin e Nënë Terezës të shoqëruar nga fjalët e saj, me poezinë Lamtumirë, të shkruar nga vetë ajo gjatë rrugës për mërgim “tani jam e lidhur me heshtjen e vetmisë”. Këtë poezi ajo e shkroi në bordin e anijes që po udhëtonte nga Mesdheu për në Kalkuta. Një udhëtim që zgjati pesë javë./ KultPlus.com

Të ngjajshme