Ujëvara e Sotirës në rrëzë të Tomorrit zbulohet nga turistët

12 Shtator, 2018 - 9:26 am

Parku Kombëtar i Tomorrit tashmë po eksplorohet jo vetëm në zonat më të njohura të tij, por edhe në vende që janë vështirë të arritshme për vizitorët. Gjithsesi, dashamirësit e natyrë dhe ecjes në këmbë, kanë mundësinë të shohin pamje piktoreske dhe të shijojnë ajrin e pastër dhe panoramat marramendëse në zona që pakkush i njeh.

Kështu, në parkun Kombëtar të Tomorrit, së fundmi ka pasur turistë vendas, por edhe të huaj të interesuar për ecje në kullotat në malin e Dardhës. Grupet e turistëve mes të cilëve edhe angleze u ndanë në tri pjesë. Itinerari i tyre pati ndalesa në Ujëvarën e Sotirës, Kalanë e Tomorrit, Çezmen e Tarikos dhe një ecje drejt kullotave në Malin e Dardhës.

Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje, apo e kanë shfrytëzuar këtë burim hidrik për bujqësinë dhe blegtorinë. Sotira, vizitorë të përditshëm ka pasur vetëm banorët e zonës, por tashmë po kthehet në një destinacion grishës për shumë turistë shqiptarë.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonës së banuar e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Në këmbët e saj zë fill lumi i Sotirës dhe në ujin e kristaltë dhe të ftohtë të tij mund të shihen peshqit.

Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që dalin në trajtë çurgjesh nga lartësi të mëdha nga 20 – 150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë. /ata

Të ngjajshme