UNESCO e vlerëson Shqipërinë si model të zhvillimit të trashëgimisë, diskutohet edhe për Kosovën

8 Qershor, 2018 - 4:00 pm

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, e cila është shprehur se UNESCO e vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit. Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, shkruan KultPlus.

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencë dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Kumbaro shprehu mbështetjen e Qeverisë për vizionin e ri për Transformimin Strategjik të UNESCO-s, dhe falënderoi organizatën për bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo diskutoi me znj. Azoulay për rrugët dhe mjetet për ta shtrirë më tej këtë bashkëpunim.
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, shprehu mbështetjen e organizatës për programet e edukimit në art dhe trashëgimi, që po zbaton Shqipëria , duke vënë theksin se “Rinia dhe Kultura janë shtyllat e rëndësishme të organizatës së UNESCO-s”.

“Vlerësojmë shkëlqyeshëm punën dhe rezultatet e Shqipërisë në mbrojtjen, konservimin, restaurimin dhe sensibilizimin e trashëgimisë, me synimin e qartë për t’i dhënë zhvillim turizmit kulturor, përmes politikave të qarta në trashëgiminë kulturore. UNESCO vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit duke theksuar se ai duhet treguar për të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.

Në takimin me Azoulay, Ministrja Kumbaro preku edhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke vënë theksin se ajo duhet parë si një temë e kulturës universale, e ndarë nga politika dhe garantoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin rajonal dhe rolin emancipues të kulturës në këtë drejtim.
“Ne mbështesim kontributin kulturor të Kosovës, krahas të gjitha vendeve të tjera, në UNESCO, si në një familje të madhe kulturore ku secili është pjesë e mozaikut të kësaj hapësire pa kufi, ku sidomos të rinjtë duhet të jenë prioritet. Kjo nuk duhet parë si akt politik për të sfiduar ndokënd, por vetëm si nevojë e natyrshme për t’i dhënë kulturës, arsimit, shkencës dhe rinisë në Kosovë të njëjtat mundësi për bashkëpunim dhe ndërveprim si në vendet e tjera të rajonit dhe botës”, theksoi Kumbaro gjersa ftoi drejtoreshën e UNESCO-s Azoulay për vizitë në Shqipëri me rastin e një konference të nivelit të lartë në festimet e 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatë.

Në ditët e qëndrimit në Paris, Kumbaro zhvilloi një takim pune me Metchtild Rossler, Drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, ku u diskutua për zhvillimet pozitive në fushën e trashëgimisë në dy qytetet Gjirokastër dhe Berat dhe në Parkun e Butrintit.
“Jo vetëm keni plotësuar kërkesat e UNESCO-s, por njëkohësisht jeni një nga shembujt pozitivë të modelit të zhvillimit, që përkon me synimet e kësaj organizate, që synon ruajtje, mbrojtje, sensibilizim dhe zhvillim gtë trashëgimisë botërore” u shpreh ajo.

Rossler vlerësoi hapat në zhvillim të Shqipërisë, që shënuan suksesshëm me miratimin e ligjit për trashëgiminë dhe muzetë, hapat pozitive në ndërtimin e katër muzeve të rinj bashkëkohorë, si dhe strategjinë për të sensibilizuar të gjithë aktorët shoqërorë për rëndësinë e trashëgimisë përmes programeve të edukimit dhe partneriteteve me pushtetin vendor dhe sektorin privat. / KultPlus.com

Të ngjajshme