UNESCO-ja bashkon ekspertët në solidaritet për Mosulin

21 Qershor, 2019 - 8:59 am

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, Universiteti i Kombeve të Bashkuara dhe National Estate of Chambord (Francë) do të organizojnë një ngjarje ndërkombëtare në kështjellën në Chateau de Chambord solidaritet me komunitetet e Mosulit që po luftojnë për të rimarrë strukturën shoqërore të qytetit në veri të Irakut dhe për të rindërtuar monumentet e saj ikonike, të cilat u shkatërruan nga ISIS-i.

Kjo ngjarje do të mbahet më 26 të këtij muaji, shkruhet në njoftimin e UNESCO-s, përcjell Koha Ditore.

“Organizuar në kuadër të projektit të udhëhequr nga UNESCO-ja, ‘Ringjall shpirtin e Mosulit’ , ngjarja do të sjellë së bashku ekspertë, artistë dhe gazetarë të angazhuar për të ardhmen e Mosulit. Kontributi i tyre do të ndihmojë në formësimin e mëtejshëm të iniciativave të UNESCO-s”, shkruhet në njoftim.

Audrey Azoulay, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, do të hapë konferencën së bashku me Jean d’Haussonville, drejtor i Château de Chambord dhe David Malone, rektori i Universitetit të Kombeve të Bashkuara. Daniel Rondeau, shkrimtar francez, ish-diplomat dhe anëtar i Akademisë franceze, gjithashtu do të marrë fjalën në hapje. Ati Najib Mikhael Moussa, arqipeshk i Mosulit që nga viti 2018, do të flasë për përpjekjet e tij për të shpëtuar prej ISIS-it dorëshkrimet e lashta dhe do të theksojë rolin që ka pasur komuniteti lokal në rimëkëmbjen e qytetit.

“Folës të tjerë të rëndësishëm në këtë eveniment janë edhe Dominique Charpin nga Kolegji i Francës, Susana Abdul Majid, aktore me origjinë irakiane që luajti në shfaqjen teatrale ‘Orestes’ në Mosul dhe të rinj nga qyteti që rrezikuan jetën e tyre për të informuar botën për ato që po ndodhnin gjatë okupimit”, shkruhet në njoftim.

Ambasadorët dhe delegatët nga UNESCO-ja po ashtu do të marrin pjesë në takim, siç do të bëjnë edhe hulumtuesit dhe dijetarët e rinj në fushën e studimeve për Mesopotaminë, historinë e artit dhe shkenca politike, artistët, shkrimtarët, muzikantët dhe aktorë të teatrit, si dhe përfaqësues të rinj të shoqërisë civile.

Kjo ngjarje kërkon të gjejë mbështetje në frymën apelit të suksesshëm të vitit 1960 për të shpëtuar tempujt e lashtë të Abu Simbelit dhe monumente të tjera të Egjiptit të Epërm. Duke përkuar me festimin e 500-vjetorit të fillimit të ndërtimit të Château de Chambord, kjo ngjarje shpall Mosulin si simbol të gjallë të diversitetit historik të Irakut dhe simbol të rezistencës në ditët e sotme, duke denoncuar urrejtjen kriminale dhe dhunën e ekstremizmit./Koha.net/

Të ngjajshme