Ura e Nivanit afër Gjirokstrës, monument me një histori të pasur

29 Gusht, 2018 - 9:59 am

Ura e Nivanit, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur mbi lumin e Zagorisë, në Nivan, Gjirokastër, është një monument me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se një tjetër kantier i shtohet Ministrisë së Kulturës. “Pas miratimit të projektit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, në fshatin Nivan ka nisur puna për restaurimin e urës”, thekson IMK-ja.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikon ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese në monument.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.

Kjo urë i dha jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme