Viktima e dhunës seksuale flet për plagët e saj 20 vjet pas luftës në Kosovë

3 Prill, 2019 - 11:45 am

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga intervenimi i NATO-s në Kosovë ndaj caqeve serbe, konflikti i tmerrshëm mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdon të jetë aktual në jetët e tyre.

Gazeta amerikane bloomberg, ka shkruar për një 22 vjeçare kosovare shtatzënë, me inicialet L.A, e cila atë kohë, mendonte se po të mbulohej me një pelenë, do t’i shpëtonte ushtarëve serbë. Por ndodhi e kundërta. Atë mbrëmje kur nisi intervenimi i NATO-s, në mbrëmje, ajo u dërgua tek shtëpia e babait të saj, e ashtu si edhe dy motrat e saj, u përdhunua.

Ishte prilli i vitit 1999, pak më pak se një muaj pasi NATO-ja nisi sulmet ndaj serbëve, për t’i përzënë nga Kosova forcat serbe. Edhe dy dekada më vonë, pasojat vazhdojnë të mbesin në jetën e saj, e historia e saj, tregon një nga mijëra tjera se pse një pajtim politik mes dy vendeve mbetet i pakapshëm, transmeton Koha.net.

Derisa politikanët kosovarë, shkruan kjo gazetë, flasin hapur për viktimat e përdhunimeve nga serbët nëpër ngjarje të ndryshme, deklaratat e tyre kundërshtohen nga pala serbe.

Një zënkë e tillë ndodhi gjatë Konferencës së Sigurisë në Munich gjatë muajit shkurt, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ngriti dyshime rreth numrit të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, për të cilat fliste presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në po të njëjtën ngjarje. Por aty, Thaçi e Vuçiqi kishin shkuar për të diskutuar rreth integrimit në Bashkimin Evropian, e për ta harruar historinë e shkuar.

Autoritetet në Kosovë raportojnë se janë gati 20 mijë gra që u abuzuan e u përdhunuan nga ushtarët serbë. Kjo do të thotë se viktimat e dhunës seksuale tejkalojnë shifrën prej 13.595 njerëz që u vranë në luftë. Gazeta, po ashtu raporton se militantët e të dyja palëve janë paditur për krime lufte.

Kur i kthehet historisë së vajzës, që atë kohë ishte 22 vjeçare, shkruan se për atë ditë, motrat s’kishin diskutuar mes vete se çka u kishte ndodhur. E familjes së burrit të saj, s’u kishte treguar kurrë se çka i kishte ndodhur. Ishte veç nëna e saj, që kishte arritur t’i falë sado pak mbështetje.

“Do të kishte qenë më mirë të më kishin vrarë atë ditë”, kishte thënë gruaja, inicialet e së cilës janë L.A nga Gjakova.

Në fakt, siç shkruan kjo gazetë, u deshën 15 vjet që politikanët në Kosovë të thyejnë tabunë për viktimat e dhunës seksuale, atëkohë presidentja Atifete Jahjaga, bëri hapin e parë për të hedhë në dritë tmerret që përjetuan shumë gra në luftë, transmeton Koha.net.

Image

“Kjo temë u mbajt nën maska të trupit për shkak të mentalitetit në vendin tonë dhe ishte tabu”, ishte shprehur Jahjaga në një intervistë dhënë medieve kosovare më 11 mars në Prishtinë. Sipas Jahjagës, u deshën vite për të krijuar fonde për viktimat, të cilat mund të aplikojnë për të marrë një pension deri 230 euro në muaj, në rast se Komisioni do të miratonte aplikimin e tyre.

Deri tani, mbi 1,300 gra kanë aplikuar dhe vetëm rreth 400 sosh janë miratuar.

“Duke e njohur mentalitetin tonë, nuk besoj se shumë prej tyre do të mund të ecin përpara”, ishte shprehur Jahjaga.

Mirlinda Sada, që është drejtoreshë e shoqatës së grave në Gjakovë, ka thënë se ende u duhet shumë punë për t’u takuar me gra për t’ju ndihmuar që t’i tregojnë historitë e tyre të trishta. Flet për një rast që kishte ndodhur para dy vitesh, kur një djalë i kishte shkuar në shoqatë për t’i kërkuar ndihmë për nënën e tij, e cila ishte një vejush që po mbahej e mbyllur nga vjehrri i saj për 17 vjet me radhë.

“Që kur përfundoi lufta, ajo u lejua të dilte veç prej dhomës në dhomë. S’lejohej të dilte as deri në oborr. U desh gati një vit për ta bindur vjehrrin e saj ta lejojë atë të dalë nga shtëpia e t’i ofrohej ndihmë nga trapistët”, ka thënë Sada.

Kur L.A u paraqit para komisionit nëntë anëtarësh, e në panel ishte edhe një burrë, ajo u trishtua dhe nuk arriti të japë detaje e të raportonte për të kaluarën e saj. Rasti i saj u refuzua. L.A, do të tentojë të aplikojë përsëri.

“Përgjigja negative më rihapi plagët”, u shpreh nëna e katër fëmijë, tani 42 vjeçare.

“Gjithçka u kthye përsëri në jetën time nga ajo kohë”, përfundoi ajo.


Foto:Bloomberg, portreti i një viktime kosovare të përdhunimit nga ushtarët serbë

Të ngjajshme