Vjen edicioni i 14-të i Bunarfest

7 Qershor, 2018 - 10:00 am

Festivali tradicional i cili organizohet çdo vit në qytetin e Prizrenit dhe shquhet me garën atraktive të lëshimit me goma në lum, Bunarfest, sivjet do ta organizojë edicionin e 14-të në datat 16-17 qershor.

Organizatorët e festivalit tashmë e kanë bërë publike edhe agjendën e plotë të këtij edicioni.

Festivali do të fillojë me aktivitetin mjedisor të pastrimit të lumit Lumbardhi të shtunën më 16 qershor nga ora 10:00, në bashkëpunim me vullnetarë dhe organizata të tjera të vendit.

Ndërsa në mbrëmjen e 16 qershorit, nga ora 22:00 do të bëhet hapja solemne e këtij edicioni me koncertin muzikor në terrenin e basketbollit në Marash të Prizrenit, ku do të performojnë yjet e muzikës Hip-hop siç janë BimBimma, Ergen dhe Elinel, derisa do të jenë të shoqëruar edhe nga DJ-ët, Dandara dhe Lilac.

Aktiviteti kryesor, lëshimi me goma në lum do të organizohet të dielën më 17 qershor nga ora 15:00, ndërsa më pas do të ketë edhe performancë muzikore në hapësirën e Kejit (Përballë xhamisë së Sinan Pashës) nga DJ Gamblemania dhe “mjeshtri i mikrofonit” – XhurimDema.

Bunarfest tashmë e ka hapur edhe aplikimin për garues dhe thirrjen për vullnetarë.

Të interesuarit që dëshirojnë ta provojnë kënaqësinë e lëshimit me goma në lum, duhet të aplikojnë online nëpërmjet linkut: http://40bunarfest.org/aplikacion-per-pjesmarje/, derisa ata që dëshirojnë të jenë vullnetarë në këtë edicion të festivalit mund të aplikojnë nëpërmjet këtij linku: http://40bunarfest.org/thirje-per-vullnetare/./ KultPlus.com

Të ngjajshme