Vjollca Aliu dekorohet me titullin ‘Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës’

28 Shkurt, 2018 - 8:29 pm

Alberina Haxhijaj

Lindur në Prizren, vendi i njohur në Kosovë për trashëgiminë që posedon, Vjollca Aliu, një dekadë të jetës së saj ia ka dhuruar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së Kosovës. Puna e saj në kuadër të institucioneve por edhe si individ, është çmuar sidomos sonte ku ajo e pranoi titullin “Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës”, çmimi ky i cili për herë të parë i ndahet dikujt për kontribut në fushën e trashëgimisë .

Rrethuar nga miqtë në një ambient mjaft të ngrohtë, Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu, pranoi distinktivin e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, shkruan KultPlus.

Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert, u shpreh se trashëgimia është ajo e cila na mundëson të farkojmë një lloj identiteti për të vazhduar më tej dhe është një element i rëndësishëm për zhvillimin e një shteti.

“Kjo medalje është për ju Vjollca, pasi që ju e keni merituar atë, dhe kjo medalje përmes juve i shpërblen të gjithë njerëzit në Kosovë që luftojnë për ta ruajtur trashëgiminë kulturore, trashëgimi kjo e cila në Kosovë është mjaftë e ndjeshme dhe kërkon që të mbrohet dhe të mbështetet”, u shpreh Ambasadori Chabert.

Vjollca Aliu, e cila u dekorua më këtë titull, ishte mjaft e emocionuar. Ajo madje la pashqiptuar edhe fjalimin e saj, për shkak të emocioneve, mirëpo arriti të falënderonte të gjithë të cilët e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj.
“Faleminderit shumë për vlerësimin ndaj angazhimit tim. Ky dekorim aq sa më bën krenare edhe më inkurajon për punë të mëtutjeshme, edhe më shumë më obligon ti shërbej vendit”, u shpreh ajo duke shtuar se shpreson që të ketë edhe më shumë dekorime të tilla në fushën e kulturës.

Vjollca Aliu ushtron funksionet e saj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 15 vjet. Ajo ka kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimit midis Francës dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë dhe arkeologjisë. Në veçanti, ajo luajti një rol kyç në suksesin në vitin 2015 të ekspozitës “Hyjnitë e Ballkanit”, shtatë figurina dhe një vazo nga koha e Vinçës në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë të Saint Germain en Laye (Francë).

Ajo po ashtu ka inkurajuar kontaktet dhe shkëmbimet midis arkeologëve kosovarë dhe francezë, duke i mundësuar Kosovës që të mirëpresë profesionistët më të lartë që punojnë në zona arkeologjike me rëndësi të madhe në nivel rajonal. Aliu gjithashtu ka kontribuar shumë në nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit shkencor në lidhje me misionin arkeologjik francez dhe kosovar. / KultPlus.com

Të ngjajshme