Vlerat e ndërtesave konstatohen nga autoritetet e trashëgimisë kulturore

16 Maj, 2018 - 2:00 pm

Komuna e Prizrenit në sqarimin e bërë më datë 15.05.2018 lidhur me rrënimin e shtëpive të vjetra me statikë të dëmtuar skaj rrugëve të qytetit ka veçuar reagimin e OJQ-së EC Ma Ndryshe, duke shkëputur vetëm pjesën ku thuhet se “zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave”.

Në këtë komunikim publik, Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se ka dërguar ftesë me postë elektronike dhe nuk ka marrë përgjigje nga QRTK për pjesëmarrje, derisa ka shtuar se në takimin e mbajtur të këtij komisioni nuk është paraqitur asnjë zyrtar i QRTK-së. Gjithashtu Komuna ka pohuar se në takim me drejtorin e QRTK-së ka marrë përgjigje se ky institucion nuk ka kapacitete njerëzore për pjesëmarrje në këtë proces.

E para, tendenca e Komunës së Prizrenit që procesin e vlerësimit të vlerave të ndërtesave të vjetra ta reduktojë vetëm në çështjen teknike të pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes së zyrtarëve të QRTK-së në një takim të një organi komunal është një qasje që duhet të ndryshojë, ngjashëm sikurse edhe mënyra e komunikimit të deritanishëm lidhur me këto çështje.

E dyta, Komuna e Prizrenit qëllimshëm ose jo në sqarimin e vet, nuk i është referuar pjesës tjetër të paragrafit të reagimit të EC-it, ku thuhet se: “Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja”.

EC përkujton se në njoftimin e parë të Komunës së Prizrenit shkruan që: “Në përzgjedhjen e tyre (objektet e vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër) ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjinden në Qendrën Historike të Prizrenit”. Pikërisht këtu edhe qëndron problemi, ngase organet komunale nuk japin vlerësime mbi vlerat e ndërtesave të vjetra, pasi që legjislacioni e ka përcaktuar MKRS-në dhe organet e saja vartëse (QRTK) si institucione që kanë përgjegjësi dhe kompetenca në këtë drejtim. Prandaj nëse QRTK-ja nuk ka marrë pjesë në takimin e organit komunal (Komisionit përkatës) ose edhe nëse e ka refuzuar një gjë të tillë, atëherë Komuna është dashur që të komunikojë edhe me MKRS-në për këtë çështje.

Kjo edhe për faktin se MKRS-ja merr vendim për Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, hartimi i së cilës është një proces i vazhdueshëm sikurse edhe plotësimi i saj me asete.

Për më shumë pos komunikimit me MKRS-së dhe organet e saja lidhur me listën e ndërtesave që parashihen për rrënim, Komuna e Prizrenit është dashur që t’i bëj publike raportet e Komisionit përkatës, vendimet e tij bashkë me arsyetime, ashtu që edhe publiku i gjerë të jetë i njoftuar me vendimmarrjen për këtë çështje, në përputhje me zotimet e lidershipit komunal për transparencë radikale.

EC konsideron se Komuna mund të ketë argumente që veprimi i saj ka qenë i nevojshëm për hir të sigurisë së qytetarëve, por megjithatë përsërit qëndrimin se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore dhe jo nga organet komunale./ KultPlus.com

Të ngjajshme