Vlora Nikçi zgjedhet kryetare e Fondacionit ‘Nermin Vlora Falaschi’ në Kosovë

31 Tetor, 2017 - 6:34 pm

Gili Hoxhaj

Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falasch” sot erdhi në Prishtinë për të përuruar edhe themelimin e degës më të re të këtij fondacioni në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Me këtë rast, kryetarja e këtij fondacioni në Shqipëri – Zejnepe Luka, shënoi edhe promovimin e librit “Testamenti i grave për gratë”. Kjo ngjarje mblodhi shumë personalitete të shquara të kulturës shqiptare. Aktoret Tinkat Kurti e Margarita Xhepa, emrat si Kaqusha Jashari, Vlora Dumoshi e Diana Toska ishin të pranishme në këtë ngjarje.
Luka e quajti këtë ditë të shënuar për faktin se pas pesëmbëdhjetë viteve të rrugëtimit të këtij fondacioni, ato po e përcjellin misionin e tyre edhe tek një grup vajzash të reja në Prishtinë, duke e fuqizuar kështu zërin e gruas shqiptare.

“Duke e formuar këtë degë në Prishtinë siç e kemi edhe në shumë shtete të botës do të thotë që aktiviteteve tona në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera do t’i bashkëngjiten edhe zonjat e Kosovës. Misioni ynë është të mbështesim gruan dhe të bashkojmë zërin e saj nga të gjitha trevat, ne me këtë në fakt e kemi bërë bashkimin kombëtar, pavarësisht territoreve, ne e kemi bashkuar gruan shqiptare” tha Zejnepe Luka.

Ajo po ashtu tregoi për emocionet e saj derisa me anë të veshjes po barte porosinë e mbesës së Ismail Qemailit, e cila e kishte dhimbje Kosovën.

“Kam ardhur këtu e mbushur me shumë emocione, për shumë arsye. E para, sikur më shihni, unë kam veshur një bluzë – flamur që është kuq e zi, që ka edhe thekët e tij. Nuk është e imja. Në janar të vitit 2002 kur u formua shoqata jonë në akademinë “Iliria” në Romë, Nermin Vlora Falaschi, mbesa e Ismail Qemailit në Shqipëri, një patriote e madhe që është e vetmja pinjollë e familjes Vlora që ka përcjellë të gjitha virtytet që kishte gjyshi i saj, Ismail Qemaili. Ajo më tha “bija ime, unë po të dhuroj këtë bluzë, të lutem shumë duhet ta veshësh kur të shkosh në Kosovë”, sepse ajo për shkak të shëndetit të përkeqësuar nuk e dinte se a do të mund të vinte në ndonjë ditë kur Kosova të ishte e pavarur. Unë sot kam ardhur me këtë bluzë këtu për të ju thënë se këtu është Nermini, e cila e kishte dhimbje Kosovën”, tregoi Luka, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje u përcoll me mjaft emocione mes gërshetimit të fjalëve dhe poezive që buronin me plotë mjeshtëri artistike nga aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa. Ajo duke e ngritur lart në piedestal gruan shqiptare solli me shumë pasion e interpretim artistik vargjet që i ishin kushtuar gruas nga Çajupi, Lasgush Poradeci e Dritëro Agolli. Ndërsa për vetë aktoren gruaja ishte “muzika e shtëpisë”.

“Këtu kemi ardhur në emër të gruas dhe nënës shqiptare e cila dallohet nga personalitetet e tjera sepse gruaja e Ballkanit, është më e sakrifikuara nga të gjitha gratë e botës. Gruaja jonë gjithmonë është shquar si një nikoqire e mirë, si një punëtore e dalluar. Figura e saj është ngritur gjithmonë sepse ajo është e mençur, durimmadhe, e në prehrin e saj rriten kombet, rriten popujt”, tha me plot emocion aktorja Xhepa.

Me rastin e themelimit të këtij fondacioni, u vendos që në krye të tij të jetë aktorja Vlora Nikçi, ndërsa zëvendëskryetare Sebi Kamberi, pasuar nga një numër i madh i grave të shquara të Kosovës.
Vlora Nikçi pas marrjes së titullit të Kryetares së Fondacionit “Nermin Vlora Falsch”, u shpreh tejet e emocionuar që të flasë pas këtyre personaliteteve të cilat i quan edhe udhërrëfyese të rrugëtimit të saj si aktore, shkruan KultPlus.

“Nuk di sa kam fjalë të shpreh nderin që më është bërë sot si kryetare e fondacionit këtu në Prishtinë. Me nder dhe privilegj pranoj të jem në mesin tuaj, ndërsa më shumë përgjegjësi pranoj të vazhdoj këtë rrugë fisnike krah juve për dëgjimin e zërit të gruas shqiptare, prej së cilës kanë lindur edhe shumë trima që e kanë çliruar edhe vendin tonë. Pra është meritë e nënave tona dhe e ninullave të tyre lindja e trimave tanë, të cilët sollën lirinë. Prishtina ndihet e nderuar që ju ka juve sot këtu , dhe ne ndihemi më të çliruara që nga sot do të mblidhemi kokë me kokë për të punuar për të gjitha preokupimet e gruas prishtinase dhe mbarë shqiptare”, përfundoi fjalën e saj Vlora Nikçi.

Ky grup i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falasch, nesër do të pritet edhe nga zyra e Presidentit të Kosovës – Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Të ngjajshme