Vrasja e vajzave! Nënat e reja detyrohen të abortojnë, pasi fëmija duhet të jetë djalë

12 Nëntor, 2018 - 10:20 pm

Djalë apo vajzë? Shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë në kërkim të djalit. Djali do të thotë fitore, vajza humbje.

TopChanel ka bërë një hulumtim rreth kësaj teme, ku përveç nënave që janë përballur me këtë rast, rrëfehen edhe doktorët.

Rastet e nënave, që detyrohen të abortojnë vetëm e vetëm se është vajzë, janë të shumta, megjithëse kjo gjë ndalohet me ligj.

“E kam djalë, është shtylla e shtëpisë”, thotë një nënë në maternitet, e cila sapo ka lindur.

“Aborti u bë kur vajza ishte katër muajshe. Ishte ultimatum. Nuk kisha mundësi të kthehesha në shtëpi pa e kryer atë punë”, rrëfen një tjetër grua.

Një studim i fundit në vend tregon të dhëna të frikshme për abortin selektiv.

“Që nga viti 1990 e deri më sot, në Shqipëri janë 33 mijë vajza të munguara”, thotë Eglantina Bardhi, nga “Together For Life”.

“Nëse investohet për shkollimin e saj, kjo konsiderohet një para e humbur”, tregon një tjetër nënë rreth mendimeve që kanë për vajzat në Shqipëri.

Një tjetër grua rrëfen se pas dy vajzave kur ngeli shtatzënë dhe u konstatua që po pret prapë vajzë, u detyrua nga bashkëshorti të bëjë abort, pasi nuk ju duheshin vajzat por duhej një djalë si shtyllë shtëpie dhe të marrë mbiemrin e familjes. Ajo rrëfen se u detyrua të bëjë një raport të rremë mjekësor për të arritur të abortojë vajzën.

“Ne mbajmë vendin e parë në Europë”, pranon fatkeqësisht mjekja Rubena Moisiu, ish-drejtoreshë materniteti. /KultPlus.com

Të ngjajshme