Vuno, fshati që sivjet hapi dyert për South Outdoor Festival (FOTO)

28 Prill, 2018 - 4:28 pm

Sarandë Selimi

Shumë qytetarë shqiptarë dhe të huaj rrugën për në Himarë e kanë marr goxha shpesh por shumica nga ta, pak kilometra para se të mbërrijnë në Himarë nuk kanë vënë re se aty ndodhet një mrekulli tjetër shqiptare të cilën mund ta eksplorojnë.

Është fshati Vuno. Një mister tjetër i Shqipërisë që duket se qysh moti ka kërkuar sytë e njerëzve të tjerë, përpos atyre që banojnë aty. Një arkitekturë e mahnitshme, natyrë që të bënë për vete e traditë e lashtë e cila mori sivjet vëmendjen e të gjithëve përmes edicionit të dytë të South Outdoor Festival.

Dita e premte, data e 27 prillit ishte ajo që startoi këtë edicion të këtij festivali që organizohet nga GIZ. Një ditë që startoi me aktivitete të ndryshme duke u pasuar nga sot, ditë e shtunë e 28 prillit, me eksplorime edhe të fshatrave të tjera përreth Himarës por me theks të veçantë të Vunos.

Rruga për të shkuar deri te vendi ku mbahen aktivitete kryesore ishte shumë pak minuta e krejt kjo për arsye se bukuria e atij vendi të zvogëlonte rrugën dhe të hapte sytë që nuk mjaftonin të shihni aq sa ofronte ky vend. Aktivitete për fëmijë, adoleshent e të rritur. Ushqime të llojeve të ndryshme, me veçanti ushqime të jugut të Shqipërisë. Panaire të gjërave ushqimore, artizanale e të pijeve. E në fund fare, por jo më pak e rëndësishme, një skenë e madhe që sonte do të digjet nga Tre Musketierët, me një koncert madhështorë që do jehojë thellë në muret e bukura dhe plot kreativitet të fshatit Vuno.

KultPlus, duke qenë i pranishëm në këtë festival që po promovon me një seriozitet të madh turizmin, traditën dhe kulturën e Shqipërisë së Jugut, bisedoi sot me ambasadoren e këtij edicioni të South Outdoor Festival, Valbona Selimllari. Ajo për KultPlus, përveç të tjerash tregoi se mbi të gjitha e rëndësishmja e këtij festivali, sipas saj është se e para promovohet ky vend dhe tjetra që shijohet kjo bukuri.

“Ky është edicioni i parë që marr pjesë dhe të them të drejtën jam shumë e kënaqur. Kur e them këtë, e para është sepse arrijmë të promovojmë këtë perlë që kemi, sepse unë e quaj perlë gjithë jugun e Shqipërisë, dhe nuk është nevoja ta komentoj shumë, sepse është diçka që shihet dhe nuk ka nevojë për koment, dhe e dyta është që kur më thanë se isha ambasadore e këtij festivali, u ndjeva krenare në një mënyrë”, tha ajo për KultPlus.

Duke pas parasysh se çka të ofron kjo pjesë e Shqipërisë, duket qartë që është dashur shumë më herët të ketë ndonjë aktivitet të tillë që të promovohet sa më shumë. Sipas Valbona Selimllarit, kjo është dashur të ndodhë, por që, sipas saj me mirë vonë se kurrë.

“Ne kemi një thënie që e pëlqej dhe dua ta rithem, më mirë vonë se kurrë, është vonë ndoshta, por mendoj që tani u poqën gjërat dhe është mirë”, u shpreh ajo.

Festivali South Outdoor, organizohet nga GIZ. Për KultPlus, foli edhe përfaqësuesja e organizatorëve Dhurata Gazulli, e cila shpalosi pjesë nga programi i këtij edicioni.

“Këtë vit ne jemi zhvendosur në Vuno, dhe mendojmë që vitin tjetër të zhvendosemi në një vend akoma më të bukur. Mendoj që dita e parë ka kaluar shumë mirë, sportet janë ndarë, njerëzit janë nëpër aktivitetet përkatëse që po ndodhin në fshatra të ndryshme dhe mendoj që këtu ka shumë aktivitete në fushë, aktivitete për fëmijë, adoleshentë dhe më të rritur ku secili mund ta gjejë vetën në diçka. Shqipëria ka shumë asete për të pasur një turizëm gjithë vjetorë. Jugu ka shumë asete, që janë gjëra që japin mundësi që sezoni të fillojë shumë herët apo të themi më mirë të mos mbarojë kurrë. Poashtu ka shumë njerëz që po vijnë po dëgjojnë dhe po bëhen pjesë e eventit. Ka pasur francez, gjerman e shumë të tjerë që na u janë bashkangjitur. Jemi të lumtur që kemi arrit ta kthejmë këtë vëmendje nga kjo pjesë e mrekullueshme e Shqipërisë”, u shpreh Gazulli nga GIZ.

Përpos aktiviteteve që përmendëm, një rëndësi të madhe organizatorët iu kishin kushtuar fëmijëve. Plotë gjëra që ata të paraqesin kreativitetin e tyre, ishin organizuar nga ky festival. Lojëra të ndryshme, këngë, pikturë, e shumëçka tjetër patën rastin që fëmijët që kishin ardhur me prindërit e tyre, t’i shijonin nën bukuritë e Vunos.

Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali po eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë: Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk po mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë.

Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, janë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungon edhe muzika live, si dhe iso-polifonia (Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.

Mbrëmja e sotme do të sjellë në skenë Tre Musketierët, me koncertin që është paraparë të nisë me fillim nga ora 20:00. Ndërsa eksplorimi i Vunos, do të vazhdojë edhe nesër më 29 prill, kur edhe përfundojnë tre ditët e këtij festivali./ KultPlus.com

Të ngjajshme