Xhamia e Çarshisë, ndër objektet më të vlefshme kulturore ka mbetur jashtë përkujdesjes së institucioneve

9 Gusht, 2020 - 4:46 pm

Xhemile Hysenaj

Trashëgimia kulturore e një vendi është pjesa më e rëndësishme e historisë së atij vendi, sepse në secilën pjesë të saj shpaloset një pjesë e historisë, një pjesë që tregon për zhvillimin kulturor të vendit ndër etapa të ndryshme të periudhave të ndryshme kohore. Trashëgimia kulturore në Kosovë është mjaft e pasur, edhe pse ka shumë objekte të cilat janë lënë anash përkujdesjes së institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe me Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. Një objekt tejet i veçantë në arkitekturën e tij, që konsiderohet ndër objektet më të vjetra e më me vlerë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë, objekt ky të cilit i janë dashur dashur gjithsej 51 vjet për t’u ndërtuar (1389-1440) dhe ka përfunduar para 580 vitesh.

Xhamia e Çarshisë shënon fillimin e qendrës së qytetit të vjetër. Kjo xhami është ndërtesa më e vjetër ekzistuese në Prishtinë sot. Në të kaluarën Xhamia e Çarshisë gjendej përballë çarshisë së mbuluar të Prishtinës, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Sot nuk ka mbetur asgjë nga çarshia e vjetër, vetëm emri i Xhamisë së Çarshisë shërben për të na e përkujtuar atë. Shumë ndryshime si dhe punime për riparimin e saj e kanë ndryshuar pamjen origjinale të kësaj xhamie, mirëpo simboli i saj – kulmi i gurët minares – ka mbijetuar për më shumë se 600 vite. Këtë xhami e quajnë edhe ‘Tash Xhamia’, që në përkthim do të thotë ‘Xhamia e gurit’.

Mirëpo, Xhamia e Çarshisë, restaurimi i së cilës është ndërprerë në vitin 2011, tashmë për pothuajse 10 vjet është lënë anash nga institucionet dhe ka mbetur si mos më keq. Qytetarët e papërgjegjshëm po e shfrytëzojnë atë për nevoja të ndryshme, duke e shndërruar atë në një vend të tmerrshëm.

KultPlus ka qenë në vendin e ngjarjes ku ka realizuar disa fotografi, tek të cilat shihet gjendja në të cilën ka mbetur ky objekt.

KultPlus ka kontaktuar me drejtorin për shtyp dhe veprimtari nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ramadan Shkodrën, i cili ka deklaruar se kanë marrë masa për parandalimin e hyrjes së qytetarëve të papërgjegjshëm, kanë bllokuar edhe hyrjen me llamarina, por sipas tij ato janë shkatërruar.

I pyetur nëse kanë provuar të vënë një kujdestar për parandalimin e hyrjes së njerëzve në xhami, ai nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, por ka pohuar që kanë bllokuar hyrjen me llamarina e që nuk kanë arritur ti parandalojnë.

Sipas tij Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e shokuar me papërgjegjësinë e njerëzve që arrijnë të bëjnë vepra të tilla në një vend ku predikohet feja.

Ndër të tjera, Shkodra ka treguar për KultPlus se restaurimi pritet të fillojë shumë shpejt dhe uron që edhe përfundimi të jetë i shpejtë. Ndonëse restaurimi ka filluar nga viti 2011, si aryetim u morë edhe situata e krijuar nga pandemia Covid-19

Xhaminë e karakterizon edhe maja e minares poligonale me gurë, duke e bërë atë ndër tre xhamitë e vetme në botë që ndërtimine minares e kanë në mënyrë të tillë.

Në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, kjo ndërtesë është strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës, dhe në përbërje ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.

KultPlus ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën e Kulturës nga Komuna e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila ka treguar se pas nënshkrimit të memorandumit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe TIKA-së, kjo e fundit ka filluar me procedurat për hartimin e projektit të Xhamisë së Çarshisë.

Ku, sipas saj, pas punës së realizuar të hulumtimeve historike dhe arkitektonike nga ekspertët e fushës së konzervimit dhe restaurimit brenda këtij viti ka përfunduar hartimi i projektit i cili është dorëzuar ne zyrën qendrore të TIKA-së, ku nga ekspertët e fushës është marrë për shqyrtim.

Ndërkaq, akoma nuk dihet data e saktë se kur do të fillojë e sa pritet të zgjasë restaurimi i kësaj xhamie. ‘Komisioni ka dhënë rekomandimet e veta dhe ka aprovuar projektin, tani është duke u punuar projekti kryesor për të zhvilluar procedurat e fundit për ndërhyrje’, ka potencuar Basholli për KultPlus.

Sa për shfrytëzimin e hapsirës së Xhamisë nga ana e qytetarëve për nevoja të ndryshme, Basholli e ka konsideruar si një sjellje të papranueshme, mirëpo nuk ka deklaruar nëse komuna ka ndërmarrë masa drejt parandalimit të kësaj dukurie. Basholli tutje për KultPlus potencoi se për parandalimin e kësaj gjendjeje së pari duhet të hulumtojë se cila është mundësia dhe çfarë kompetenca ka Komuna e Prishtinës për të marrë masa.

Xhamia e Çarshisë në Prishtinë brenda vetes bartë një qytetërim të kahmotshëm të kryeqytetit, muret e saj tregojnë histori, traditë e kulturë qindra vjeçare dhe zhdukja apo shkatërrimi i një monumenti të tillë do të thotë më shumë se humbje, më shumë se shqetësim dhe mbi të gjitha një pasqyrë jashtëzakonisht e tmerrshme për vendit tonë. Faji i pësimit tragjik të kësaj vlere të madhe kulturore qëndron mbi supet e institucioneve përkatëse e deri tek qytetarët e thjeshtë, pasiqë asnjëra palë nuk e ka trajtuar këtë objekt me dinjitet. / KultPlus.com

Të ngjajshme