Zvarritja e restaurimit privon vizitorët e disa monumenteve kulturore

1 Korrik, 2019 - 12:50 pm

Xhamia e Gurit, Hamami i qytetit, biblioteka “Hivzi Sulejmani” e muzeu etnologjik “Emin Gjiku” janë disa prej monumenteve që tash e një kohë janë në rinovim. Rrjedhimisht, turistët që vijnë në Prishtinë e kanë të pamundur t`i vizitojnë ato, shkaku i punimeve që po zgjasin prej kohësh.

Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit, është ndër objektet më të vizituara nga të huajt në Prishtinë.

I ndërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ai ofron për vizitorë dy oborre të mëdha, shtëpinë e familjes dhe atë të mysafirëve, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo e fundit ka dy vjet që ka nisur të restaurohet, por përveç vendosjes së rrethojave për punë, asnjë punëtor nuk shihet duke punuar në restaurim të objektit.

Në Ministrinë e Kulturës thonë se punimet nisën pa projekt dhe se fillimisht nga objekti janë larguar orenditë e rënda, në mënyrë që të evitohej shembja.

Vjollca Aliu nga Ministria e Kulturës ka thënë se ndërtesa kryesore ka nisur të restaurohet 2 vjet më parë.

Ansambli “Emin Gjiku” është ndërtuar në fillim të shek. XIX dhe ishte pronë e familjes së njohur Gjinolli. Nofka e Emin Gjinollit ishte “burrë i vogël”, ose në turqisht Eminçik, që më vonë u shndërrua në Emin Gjik, prej nga edhe e merr emrin kompleksi.

Kompleksi përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë dhe me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e mysafirëve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik.

Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Është ndërtesë njëkatëshe e mbuluar me kulm guri, dikur dyqan farkëtari, aktualisht qendër e artit kontemporan e quajtur “Stacion”.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dy shekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit. Por si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX. Ky Kompleks është pronë e Muzeut të Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme