Artistët mirëpresin projektin e ri të kampusit të Universitetit të Arteve

19 Korrik, 2019 - 7:30 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se artistët mirëpresin projektin e ri të Kampusit të Universitetit të Arteve duke sjellë fjalët e kompozitorit të njohur, Aleksandër Peçi.

“Projekti i kampusit Universiteti i Arteve duket si një ëndërr kaq e bukur, kaq e mrekullueshme, kaq e jashtëzakonshme, saqë duam të dalim sa më shpejt nga kjo ëndërr, e ta shohim realisht, ta ndjejmë realisht, të emocionohemi realisht nga tingujt që do ta përshkojnë këtë hapësirë gjigante rrethore të një karuseli gjigant që ka kampusi”, – tha Peçi.

Sipas tij, kjo formë karuseli i jep ndjesinë e formës së veprës së tij “Carousel structure CD Made in USA New York production”.

“Unë e  imagjinoj bukur shumë e sa do doja ta shkruaja një vepër të re me një strukturë carousele për inaugurimin e kampusit, ku të hyjnë në një vizion eliptiko-rrethor tingujt e epokave klasike dhe ato moderne. Kjo ide e arkitektit përputhet me idenë time që një konservator, përveçse duhet të konservojë traditën botërore e shqiptare, duhet të jetë edhe një iluminator për të ndriçuar epokat që vijnë. Dhe këtë dinë ta bëjnë vetëm artistët vizionarë”, – përfundoi kompozitori Peçi.

Një ditë më parë, u prezantua projekti i kampusit të Universitetit të Arteve.

Ngritja e kampusit të ri do të ofrojë ambiente të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, jo vetëm një sallë historike shfaqjesh të rikonstruktuar, por edhe salla të reja, që do t’i shërbejnë jo vetëm procesit studimor, por do të shtojnë hapësirat performuese për të gjithë artistët. 

Të ngjajshme