“Bear Hug” hap edicionin e 17-të të PriFest me premierën botërore

25 Gusht, 2025 - 2:39 pm

Edicioni i 17-të i PriFest – Prishtina International Film Festival hapet më 9 shtator në Kino Armata me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj. Filmi është pjesë e programit kryesor garues të festivalit, duke shënuar nisjen e ngjarjes me një histori të fuqishme dhe emocionale që vjen nga Kosova dhe Shqipëria.

“Bear Hug” rrëfen historinë e Agu, një kujdestar në një strehimore arinjsh, jeta e të cilit ndryshon papritur një natë kur viziton të dashurën e tij. Në një rrugëtim të papritur për liri, ai takon Tinën, një vajzë e re dhe plot ëndrra, që ëndërron të bëhet këngëtare por ndodhet nën kontrollin e një politikani të pamëshirshëm. Agu vendos ta ndihmojë dhe së bashku arratisen drejt natyrës, në një udhëtim simbolik drejt lirisë – si një ari dhe një cërnile që kërkojnë paqe përtej ligjeve të njerëzve.

Filmi kombinon dramën me tensionin dhe trajton temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për liri personale. Me një kohëzgjatje prej 107 minutash, në film interpretojnë Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teuta Krasniqi, e cila është edhe producentja e filmit. Regjisori Ilirjan Himaj ka kontribuar gjithashtu si montazhier, ndërsa drejtoria e fotografisë është realizuar nga Latif Hasolli.

PriFest do të zhvillohet nga 9 deri më 14 shtator 2025 në Kino Armata, Prishtinë, duke sjellë një përzgjedhje të gjerë filmash artistikë nga rajoni i Ballkanit./KultPlus.com

Të ngjajshme